10 vjet që kur Edlira Dobrushi vrau 3 vajzat e saj për t’u hakmarrë ndaj ish bashkëshortit. Çfarë ka ndodhur me Bashkimin

10 vjet janë shumë, por për Bashkim Dobrushin, koha është ndaluar në atë ditë të tmerrshme, kur ish-bashkëshortja Edlira, vrau 3 vajzat e tij, Simonën 13-vjeçe, Keisin 10-vjeçe dhe Sindin vetëm 3 vjeçe, në atë që konsiderohet si masakra e Chiuso-s, një plagë ende e hapur në komunitetin e Lecco-s në Itali.

“Jetoj me dhimbjen në zemër”

Një masakër e tmerrshme e ndodhur mes natës së 8 dhe 9 Marsit të vitit 2014, në një shtëpi në rrugën Bergamo, që tronditi jo vetëm komunitetin e vogël të Chiuso, ku familja dhe 3 vajzat e vogla ishin tepër të njohura, por të dyja shtetet. 55-vjeçari Bashkim Dobrushi, i cili sot është rimartuar dhe është baba i një djali 6-vjeçar, udhëtoi të shtunën e shkuar drejt Kukësit, qytetit të tij të origjinës. Aty lutet në varrin e 3 vajzave. Ai i varrosi të bijat krah njëra-tjetrës, e më pas ndërtoi një lapidar, në të cilin qëndron fotografia e tre vajzave së bashku.

“Nëse ish-gruaja donte të më bënte keq, mund të më vriste”, thotë me lot në sy. “Mund të më vriste ndërkohë që flija. Ka ndodhur disa vite më parë në Shqipëri, që një grua vrau të shoqin në gjumë. Por jo vajzat e mia. Nuk ka falje për këtë”.

Ai kujton edhe atë ditë të tmerrshme të masakrës së Chiuso

“Ishim ndarë prej 1 muaji, unë kisha shkuar të jetoja te vëllai im. Kishte qenë ajo që e mori këtë vendim. Nuk shkonim më mirë. I kisha thënë që gjëja e rëndësishme ishte që vajzat të mos vuanin. Kisha kaluar për t’i takuar më 7 Mars, një ditë më pas do shkoja në Shqipëri ku do qëndroja 1 javë. Nuk vinin dot me mua sepse ishin në shkollë. Kurrë nuk do kisha menduar që ajo do të ishte hera e fundit që i shihja. Kurrë! Jetojmë në një botë të vështirë, por kujt mund t’i shkojë nëpër mend që fëmijët nuk janë të sigurt me nënën e tyre? Një grua që i ka mbajtur në barkun e saj për 9 muaj, që është kujdesur për to… Mendon vetëm këtë: Cilat janë kafshët më të rrezikshme në natyrë? Janë nënat që mbrojnë këlyshët e tyre. Për vajzat e mia nuk ishte kështu”.

Kur e mori vesh çfarë kishte ndodhur?

“Unë u nisa më 8 Mars, një udhëtim me makinë deri në Bari e më pas nga aty me traget. 10 orë gjithsej. Sapo mbërrita u prita nga vëllezërit e mi. Nuk më tha njeri asgjë. Kur hyra në shtëpi desha të ndizja televizorin, por më thanë që ishte prishur, pasi prej orësh televizionet italiane e shqiptare po flisnin për çfarë kishte ndodhur. Më lanë të bëja një dush, më pas vëllai më tha: “Bashkim duhet të kthehemi në Itali. Gruaja jote ka tentuar të helmojë vajzat dhe tani janë në spital”. Shkuan në agjenci për të marrë biletat e avionit. Më pas fluturimi, një udhëtim që e kam jetuar me shpresën që do t’i gjeja gjallë, me mendimin që Zoti do mi mbronte. Por ato nuk ishin më. Poshtë shtëpisë së vëllait tim në Chiuso pashë një turmë të madhe njerëzish. Në atë moment ai më tha: Kanë vdekur Bashkim. Bëj kurajo, ajo i ka vrarë me thikë gjatë natës. M’u përmbys bota”.

Më pas varrimi. Përse vendosi për t’i varrosur në Shqipëri?

“Kryebashkiaku Virginio Brivio më pyeti nëse doja që të preheshin në Lecco, por zgjodha t’i sjell në varrezat e Kukësit, ku janë prindërit e mi, një vëlla e nipër. Kështu që nuk do jenë vetëm. Te varri i tyre ka ardhur dy herë për t’u lutur Ati Angelo Cupini. Jemi myslimanë, por për ne nuk ka pasur kurrë barriera”.

Jeton në Itali prej 24 vitesh, mendon të qëndrojë në Lecco apo do të rikthehet në Shqipëri?

“E mora nënshtetësinë italiane më 3 Prill të 2018-s, (ditën e lindjes së Simonës, vajzës së madhe) dhe dy ditë më vonë lindi djali. Vitin e shkuar e mori edhe bashkëshortja ime. Kemi blerë edhe një shtëpi në Maggianico, do të vijojmë të jetojmë në Itali ku kam shumë miq. Ka qenë falë dashurisë së familjes time dhe të gjithë qytetit që kam arritur të mbijetoj nga kjo tragjedi, edhe pse dhimbja më ndjek çdo ditë të jetës time”.

Në telefonin e 55-vjeçarit ka shumë foto të të birit, por edhe ato të Simonës, Keisit dhe Sindit. Shumë momente në familje, ku vajzat janë të qeshura dhe përqafojnë të atin.

Si ishin vajzat e tij?

“Thonë se vajzat janë më të lidhura me baballarët, ndërsa djemtë me nënat, mendoj se është e vërtetë. Simona ishte si nënë për motrat e saj, një grua e vogël, ma thonin edhe mësueset e saj. Nuk e kishte vendosur ende çfarë shkolle do të shkonte, nuk e dinte ende dhe i pëlqente volejbolli. Nëse do të ishte këtu sot do të ishte 23-vjeçe. Kushedi, ndoshta do isha gjysh. Keisi shkonte në një kurs kërcimi, edhe ajo ishte mirë në mësime. Sindi, e vogla, kur vija nga puna vraponte drejt meje dhe më përqafonte”.

Pas asaj që ndodhi, a e ka takuar më ish-gruan?

“Jo kurrë. E mësova nga mediat se pas 5 vitesh ishte vendosur në një komunitet. Nuk më intereson nëse është në ferr apo parajsë, sepse dhimbja ime nuk do të ndryshojë kurrë”.

Pas masakrës së Chiuso, krijoi një jetë të re. A është sot i lumtur?

“Është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Im bir dhe gruaja janë gëzimi im dhe meritojmë dashurinë, vëmendjen dhe konsideratën time. Sigurisht në zemër është gjithmonë ai ankthi i tmerrshëm që nuk ikën. Ka ditë kur ndihem i brishtë. 10 vjet janë shumë, megjithatë ato janë gjithmonë krah meje. Ndonjëherë ngre sytë dhe ato janë aty… krah meje”.

*Intervista e Bashkim Dobrushit u publikua nga Prima Lecco

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *