Eftuar sot në emisionin “Pardon My French” në pjesën e parë ka qenë aktivistja, Ina Majko për të diskutuar në lidhje me rastin e vajzës 13-vjeçare, Adelajda Jonuzi. Në muajin janar të këtij viti Prokuroria e Korçës përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim dosjen e 21-vjeçarit Dritson Kurti për akuzën e kryerjes se marrëdhënieve seksuale me të mitur.
Dritson Kurti u arrestua në qytetin e Korçës, pasi një 13-vjeçare solli në jetë fëmijën e tyre. Kurti bashkëjetonte prej kohësh me të miturën, me të cilën ka edhe një fëmijë. Por lindja e fëmijës çoi në arrestimin e tij në shtator të vitit të kaluar. Familjarët e 21-vjeçarit shprehen se vajza minorene ka shkuar nuse te shtëpia e tyre me dëshirën e saj dhe konfirmimin e familjarëve, ndërsa i kanë bërë thirrje prokurorisë të lirojë Dritosnin. A është kjo pjesë e traditës për t’u martuar dhe për të lindur fëmijë në moshë të vogël në komunitetin rom? Ja si përgjigjet Ina Majko për këtë…
Unë mendoj që kjo nuk është aspak e vërtetë. Pushteti ndërton normalen, normalizon disa gjëra. Dhe në komunitetin tonë rom për shkak të situatave të rënda ekonomike, diskriminimi dhe përjashtimi social dhe shumë të tjera ëshhtë bërë kjo praktikë prej shekujsh tashmë që vajzat të martohen të vogla. Por kurrësesi një praktikë nuk është kulturë, mbetet një praktikë dhe ne duhet të pyesim çfarë është kulturë. Për mendimin tim kjo nuk është një kulturë sepse edhe nëse flasim para 50 vitesh në Shqipëri vajzat martoheshin të vogla për komunitetin shqiptar, por duke qenë se komunitetet modernizohen kjo i bën ato që edhe disa praktika t’i lënë mënjanë. Ka të bëjë me aspektin financiar, duke qenë se komuniteti rom ka jetuar i përjashtuar dhe i diskriminuar.
Më tej Ina shtoi se:
Po ta shohësh mënyrën se si vajza flet për djalin, thotë që unë e mora me dëshirë por nuk thotë që unë atë e dua. Edhe kur flet gjyshja që thotë kush do të mi mbajë është një çështje mbijetese, ti bën kompromis me patriarkatin sepse ti do që të mbijetosh. Është një strategji mbijetese më shumë se sa një kulturë apo traditë. A duam që ne ta veshim si një të tillë në rastin e familjes sepse kështu është mësuar dhe ajo është normalja për to? Absolutisht, por edhe po të jetë më fal por jemi në 2025 dhe kjo praktikë duhet të ndalojë edhe sikur të jetë.
Nuk duhet të dalin dhe të kërkojnë që të lirohet djali, unë mendoj që djali është një kokë turku në këtë moment. Politika dhe qeveria do të japë një mesazh por nuk po jep atë të duhurin. Është një fëmijë që ka një fëmijë.