Besmir Ademi nga Mitrovica është i dyshuari për vrasjen e ish-gruas së tij Jetmira Beka, në Aachen të Gjermanisë. Familjarët e së ndjerës kanë thënë se Ademi vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
28 vjeçarja, nënë e tre fëmijeve u vra nga ish-burri i saj, të shtunën në një parking në Aachen të Gjermanisë, ku u godit disa herë me grushte e më pas me thikë nga ish-bashkëshorti. Në momentin e ngjarjes e reja ishte e shoqëruar nga motra e saj, ku edhe kjo e fundit u plagos nga autori.
Viktima Jetmira Beka dhe autori Besmir Ademi kishin rreth dy muaj që ishin divorcuar dhe shkak për këtë ishte bërë dhuna që ai ushtronte ndaj gruas së tij.\
Për lajmi.net ka folur sot nëna e viktimës,
Ajo ka rrëfyer për torturat që ia ka bërë dorasi, vajzës së saj.
“Që 8 vite e kërcënume prej tyne, jo e mysim sot jo e mysim nesër. Nëse ti thu diçka në familjen tande, ose dahesh prej meje. Ai ka përdor dhunë fizike, dhunë psiçike. Ai ka përdor dhunë që nuk e përdor një serb, se s’po du me përdor fjalën serb se edhe ai është popull, por unë e kam babën e zhdukt prej Serbisë. Po nuk e përdor dhunënë që e përdor Besmir Ademi. Ky është nipi i avokatit Sheremet Ademi. Sheremet Ademi që i mbron të drejtat e njeriut, s’u kanë në gjendje me na thirrë me thanë ka ndodhë qa ka ndodhë, na vjen keq, edhe Jetmirën, që u kanë një çike që nuk mundet me gjet në trojet shqiptare, s’ka thirrë me na kërku falje”, tha ajo për lajmi.net.
Ajo rrëfen se vajza e saj është ndarë që dy muaj nga dorasi, me intervenim të shtetit gjerman.
“Jetmira është nda që dy muaj prej tij. E ka nda shteti gjerman për shkak të dhunës që ka përdorur Besmir Ademi. Jetmira është dalë prej shtëpisë. Policia e ka kthy Jetmirën në shtëpi se i ka tre fëmijë. Mas 10 ditëve, shteti e ka marrë Jetmirën e ka çu në shtëpi të grave”, tha tutje ajo.
Madje tregon se si viktima, për një kohë të gjatë ishte torturuar në mënyrat më çnjerëzore nga burri i saj.
“Ai s’ka mujt me përballu ata pse kjo dahet prej meje. Kjo u kanë e rrehne me kabull të televizorit. U kanë e rrehme me thikë në fytë, me çelësa të kerrit. I ka thanë që nëse dahesh prej meje, ka me ta pre çikën, Ledinën. Që çika e Ledinës i ka 7 vjet”, tha ajo.