Anila Prendushi Ndoka, 44-vjeçarja e cila u qëllua me një plumb në kokë nga bashkëjetuesi i saj një ditë më parë në Shkodër, vijon luftën për jetën në Spitalin Rajonal të kryeqendrës së veriut.
Bluzat e bardha bëjnë me dije se plumbi i ka prekur një pjesë të trurit, por fatmirësisht ka arritur të dalë. Aktualisht, ajo ndodhet në intubim në reanimacionin e spitalit të Shkodrës dhe 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për jetën e nënës së 3 fëmijëve.
Ndërkohë, policia e Shkodrës, së bashku me prokurorinë, po vijon hetimet për rastin në fjalë. Mësohet se prej javësh Prendushi kishte vendosur të ndahej nga 34-vjeçari Kolë Manaj, me të cilin prej 5 vitesh bashkëjetonte, por marrëdhënia e tyre ishte më e hershme.
Manaj nuk e ka pranuar këtë fakt dhe disa herë kishte kërcënuar se do të merrte një veprim ekstrem ndaj vetes nëse ajo ndahej me të.
44-vjeçarja ka qenë e bindur në vendimin e saj për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje, për arsye që familjarët nuk i dinë. Ditën e ngjarjes, i riu, sipas burimeve policore, ka njoftuar një nga motrat e tij se do t’i jepte fund jetës, e mësohet se po ashtu ka sinjalizuar edhe bashkëjetuesen.
Kjo e fundit, sapo ka marrë mesazhin, ka shkuar ta takojë nga vendi i saj i punës, disa metra më tutje, brenda automjetit të parkuar në brendësi të një blloku pallatesh në lagjen “Mark Lula”.
Aty çifti, siç duket, ka shkëmbyer një bisedë me tone të ashpra, e cila ka përfunduar tragjikisht, pasi Manaj, në kushte të rënduara psikike, ka shtënë në drejtim të 44-vjeçares me një plumb në kokë, e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Grupi hetimor, përveç marrjes në pyetje të familjarëve, po bën këqyrjen e telefonave të viktimës dhe 44-vjeçares për të zbardhur mesazhet e plota dhe bisedat mes tyre.
Miqtë dhe kolegët e Anilës, pas ngjarjes, kanë reaguar në rrjetet sociale duke e cilësuar atë si një nënë të përkushtuar që bënte edhe nga 3 punë, për të mos u munguar asgjë fëmijëve të saj.
Anila Prendushi, prej më shumë se 10 vitesh, punonte në qendrat komunitare të Shkodrës me shtresat në nevojë, kryesisht gra e vajza të dhunuara, apo shtresa të margjinalizuara. Paradoksalisht, kjo betejë e saj përfundoi duke rënë pre e një situate të ngjashme, ku bashkëjetuesi ngriti armën drejt saj.
/vizionplus.tv