Një pjesë e rrugës së re Korçë – Ersekë, është shembur këtë fundjavë, duke e bërë atë të pakalueshme.Sipas të dhënave, është shembur një nga urat në Lotin e dytë të rrugës, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka të lënduar. Ky aks rrugor, me një gjatësi prej 35 kilometrash, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 65 milion euro.
Punimet për këtë aks nisën në qershor të 2013. Tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra, u fitua nga kompania A.N.K. me një ofertë prej rreth 17 milion euro. Pas disa vitesh zvarritje kompania nuk i realizoi dot punimet dhe në 2017 u hap një tjetër tender prej 4 milionë eurosh për punime shtesë që u fitua po nga A.N.K.
Edhe tenderi i 2020 për pjesën e parë të lotin 2 u fitua po nga A.N.K, kompani në pronësi të Agim Kolës vëllait të ish-deputetit socialist Ndue Kola. Kësaj radhe vetëm për 4 kilometra rrugë të gjerë maksimumi 8,5 metra u shpenzuan plot 20 milion euro.Rruga pritej që të inagurohej në qershor të këtij viti.