Katër persona humbën jetën mbrëmjen e kaluar në një aksident tragjik në Kosovë. Aksidenti ku janë përfshirë 3 automjete ka ndodhur në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në hyrje të Shtimes. Vikimat e këtij aksidenti tragjik janë Arlind Isufaj, 21-vjeç, Mergim Behluli, 23-vjeç dhe Armend Muhadini, 39-vjeç. Identiteti dhe mosha e viktimës së katërt ende nuk është bërë e ditur. Një grua shtatzënë e vitit 1996 është në gjendje të rëndë.
Në lidhje me aksidentin tragjik kanë reaguar edhe miqtë dhe të njohurit e viktimave të cilët shprehin ngushëllimet e tyre për tragjedinë e ndodhur.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se njëri nga të vdekurit në aksident ishte punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë. Aliu, këtë e bëri të ditur përmes një shkrimi në Facebook, ku u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt”.