Një i moshuar i quajtur Nazmi Hasa në Korçë i ka dhënë borxh një shumë parash një avokateje dhe nuk po arrin t’i marrë dot. Për këtë arsye, z.Nazmi Hasa i është drejtuar emisionit Stop në Tv Klan duke kërkuar ndihmë. Ai i ka dhënë avokates Eda Merkuri 700 mijë Lekë të vjetra borxh në Dhjetor 2022 dhe nuk ia kthen.
“Unë Eda Mërkurin e mora për avokate për dy çështje që do të më zgjidhte ajo me anë të gjykatës. Më datën 14 Dhjetor 2022 më tha po ke ndonjë lekë për të më dhënë borxh, unë i thashë po, sa t’i mbaj në xhep t’i jap ty, 700 mijë Lekë të vjetra. Për çështjen e parë civile jam likujduar plotësisht. Për çështjen penale, djali im i dërgoi 800 Dollarë. Me këto 800 Dollarë nuk e di se çfarë ka bërë ajo. Këto 700 mijë Lekë të vjetra ia dhashë borxh që t’i kthente. Tani ajo nuk pranon”, denoncon qytetari Nazmi Hasa.
Pasi i mori paratë, avokatja i shkruan në një letër me shkrim dore se i ka marrë borxh shumën e parave dhe do t’ia kthejë sapo të jetë e mundur.
“Sot më datë 14.12.2022 mora nga Nazmi Hasa 70 mijë Lekë të reja borxh të cilat do ia kthej sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në letrën e firmosur nga avokatja Eda Mërkuri dhe Nazmi Hasa.
Nazmiu takohet me të për t’i kërkuar borxhin, por avokatja thotë se paratë do t’ia këmbejë me shërbime për çështjen e të birit. Pas debateve, avokatja pretendon se nuk ka afat për borxhin, ndaj zotëria mund ta zgjidhë në gjykatë.
Shiko videon e plote ketu.
Avokate Eda Mërkuri: Jam e zënë!
Avokate Eda Mërkuri: Prit atje! Po të paralajmëroj, në qoftë se do vazhdosh do thërrash policinë! Do shkëmbejmë faturat, ti do paguash çështjen e Genti Hasës! (I biri i Nazmi Hasës).
Denoncuesi: Të dhashë lekët borxh.
Avokate Eda Mërkuri: Më shpier në Gjykatë! Do të them, që po unë e kam marrë këtë.
Denoncuesi: Këto unë t’i dhashë dorazi dhe bëmë këtë, tani nëmi dorazi ti!
Avokate Eda Mërkuri: Po! Unë e kam pa afat atë, kur të kem mundësi, ta kam bërë. Ta njoh borxhin po nuk e kam me afat.
Denoncuesi: Shkurt nuk do të m’i japësh?
Avokate Eda Mërkuri: Nuk e kam me afat unë atë!
Pas Nazmiut, gazetarja e “Stop” shkon të takojë avokaten Eda Mërkuri dhe kjo e fundit nxehet e thotë se sapo t’i bjerë lek në dorë, do ta shlyejë të moshuarit, të cilit i mori 700 mijë Lekë të vjetra borxh.
Marrë nga TVKLAN