Ndërsa pjesë të perëndimit dhe veriut të SHBA-së po përballen me një stuhi dimërore dhe reshje të konsiderueshme bore, pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara po përjeton një nxehtësi të ngjashme me verën, që nuk është ndjerë kurrë më parë gjatë muajit shkurt.
Më shumë se 130 qytete nga Gjiri i Meksikës deri tek Liqenet e Mëdha mund të vendosin rekorde të reja për temperaturat e larta ditore dhe mujore këtë javë.
Por ngrohtësia e pabesueshme e kësaj jave nënkupton se katër nga gjashtë vitet e fundit do të kenë temperatura të larta në muajin shkurt, që në fakt duhet t’i kishin më 1 qershor.
Ngrohtësia rekord në shkurt – një kohë që supozohet të ndihet ende si dimër – mund të mos tingëllojë si një gjë kaq e keqe, por pasojat e saj negative përhapen në të gjithë botën bimore, sport, turizëm dhe bujqësi. Dhe kjo është një tjetër shenjë e qartë se planeti ynë po ngrohet me shpejtësi, thonë ekspertët.
“Sa herë që i marrim këto ngjarje, ne duhet të mendojmë gjithmonë se ekziston mundësia ose gjasat që ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po rrisin gjasat për mot të çuditshëm,” tha për CNN Richard Seager, studiues i klimës në Observatorin e Tokës Lamont-Doherty të Universitetit të Kolumbisë.
“Sa më shumë të vazhdojë kështu, aq më shumë ato mund të sjellin një dëm të madh,” u shpreh ai.
Bimët po lulëzojnë shumë më herët se zakonisht në pjesën më të madhe të vendit, një shenjë e qartë se pranvera ose është afër – ose ka ardhur tashmë, në disa vende.
“Pranvera po vjen herët në pjesën më të madhe të SHBA-së jugore dhe lindore”, tha për CNN Brad Rippey, meteorolog në Departamentin e Bujqësisë të SHBA-së.
Problem në të gjithë botën
Ekziston frika e një përsëritjeje të valës vdekjeprurëse të të nxehtit të vitit të kaluar, e cila dogji pjesë të Indisë dhe Pakistanit.
Nxehtësia e madhe ka pasoja shkatërruese për shëndetin e njerëzve, për furnizimin me ujë dhe për të mbjellat; vitin e kaluar, rendimentet e të korrave u ulën me një të tretën në disa pjesë të vendit.
Ndërsa temperaturat u rritën në pranverën e kaluar, India ndaloi eksportet e grurit, duke shuar shpresat se prodhuesi i dytë më i madh në botë i grurit do të plotësonte boshllëkun e furnizimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.