Tronditëse, 48 vjeçari ishte mbajtur disa ditë i vdekur në shtëpi, shoku më pas e hodhi në përrua

Trupi i pajetë i Elton Tahirit është mbajtur për disa ditë brenda shtëpisë së mikut të tij, Marjdiel Husës në Laprakë. Dy shokët, kanë qënë duke konsumuar lëndë narkotike në banesën e Husës. Ata të dy kanë ardhur bashkë nga Gjermania para pak kohësh, të deportuar, kanë shkuar në shtëpi dhe kanë pirë. Nga mbidoza, Tahiri humbi jetën. Shoku i tij, e ka mbajtur disa ditë në banesë dhe më pas e ka futur në makinë dhe e ka dërguar në Bërxullë.

Në deklarimin e tij para grupit hetimor, Husa ka thënë se e ka mbajtur nga frika se mund të akuzohej.

Husa, është arrestuar për shkak se nuk kallëzoi ngjarjen në Polici, madje tentoi ta fshihte atë duke dërguar trupin në një vend tjetër.

Shoku e ka transportuar me automjet dhe e ka lënë trupin e pajetë të Tahirit, në afërsi të përroit të Limuthit, në fshatin Bërxull, Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga Husa për transportimin e trupit të pajetë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Zbardhet shkaku i vdekjes së 48-vjeçarit që u gjet i pajetë në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar droga të forta, bashkë me shokun e tij, në banesën e këtij të fundit. Vihet në pranga shtetasi M. H. (shoku i 48-vjeçarit), pasi nuk kallëzoi në Polici, për ngjarjen, dhe transportoi trupin e pajetë të shokut të tij, nga banesa në afërsi të përroit të Limuthit. Sekuestrohen sende që dyshohet se janë përdorur nga këta shtetas, për konsumimin e lëndëve narkotike, në banesë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e trupit të pajetë të 48-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë, pas ngjarjes së ndodhur në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë, ku u gjet një kufomë e seksit mashkull, më një dokument identifikimi me gjeneralitetet E. T., 48 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. T., 48 vjeç ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar lëndë narkotike kokainë dhe heroinë, bashkë me shokun e tij, shtetasin M. H., 47 vjeç, në banesën e këtij të fundit.

Më pas dyshohet se shtetasi M. H. e ka transportuar me automjet dhe e ka lënë trupin e pajetë të 48-vjeçarit, në afërsi të përroit të Limuthit, në fshatin Bërxull, Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga shtetasi M. H., për transportimin e trupit të pajetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *