Artur Shtëmbari nga fshati Bishqethëm i bashkisë Lushnjë emigroi në disa vende të Evropës dhe në fund u kthye në atdhe për të investuar.
Me paratë që kishte kursyer nisi të blejë mjetet e mekanikës bujqësore dhe fillimisht mbolli me grurë tokat e veta të lëna djerrë prej vitesh.
Më pas nisi të marrë toka me qira duke shtuar edhe misër e jonxhë. Sot pas 8 vitesh Arturi zotëron 25 hektarë toka të mbjella me këto kultura.
“Kthimi në Shqipëri ka qenë gjëja më e mirë që ka bërë, pasi në emigracion je gjithmonë i varur nga të tjerët ndërsa në Shqipëri bën atë punë që dhe vlerësohet”, tha fermeri Artur Shtëmbari.
Synimi i Arturit është zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me grurë që vitin e fundit ishte mjaft i kërkuar për shkak të luftës. Ai dëshiron të hapë një pikë magazinimi.
Arturi ka një mesazh për të gjithë ata që duan të ikin nga ky vend: Më mirë të punosh 4 orë në vendin tënd se sa 8 orë në vend të huaj.