Erion Softa, inxhinier ndërtimi dhe ish-drejtor i IKMT, është shprehur se këto godina banimi që do të inspektohen dhe më pas do vlerësohen nëse do prishen apo jo, një kompetencë që e merr Instituti i Ndërtimit, në fakt e kanë kaluar provën e tërmetit.
I ftuar në emisionin “Task Force”, Softa mori dhe rastin e një objekti te “Ushtari i panjohur”, i cili është vendosur të prishej, por më pas është lyer e i është bërë fasadë pas asnjë ekspertizë.
“Kanë kërkuar për godinat mbi 50 vjet, që kanë amortizim në kohë. Por ne vëmë re që këto godina gjatë tërmetit reaguan më mirë nga shumë të tjera. Provën e tërmetit e kaluan me sukses. Pavarësisht se ka dëmtime të strukturës nga banorët dhe bizneset poshtë.
Nuk kemi as bazë ligjore profesionale, as infrastrukturë profesionale për të nxjerrë njerëz në terren për të marrë vendime të tilla. Koha ka treguar që edhe riparimet nuk janë bërë profesionale, janë bërë jashtë kushteve teknike.
Rasti i pastër është një objekt tek “Ushtari i panjohur” ku fillimisht u vendos për t’u prishur, u bë një ekspertizë tjetër dhe një tjetër, bënë një riparim në fasadë. Kemi të bëjmë me një ekspertizë prej të paaftësh sepse s’kanë bërë gërmime të themeleve, as verifikim strukture, asgjë, janë marrë ca para, është lyer një objekt nga jashtë dhe është dorëzuar”, u shpreh Softa.