Emili Mutua, shoqja e dhomës së 22-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko ka zbuluar detaje lidhur me bisedat e fundit që ka bërë me mikeshën e saj të ndjerë. Në një intervistë për emisionin “Pa Gjurmë”, Emili ka treguar fakte të reja për atë që ka ndodhur 13 gushtin e vitit të kaluar. Pasi dha dëshminë e saj në Prokurorinë e Tiranës, Emili sqaron se nuk ka patur dijeni për lidhjen e pretenduar të Joy-t me shoferin e kazinos që ajo punonte, Rodi Barcin, i cili gjithashtu u mor në pyetje. Por kjo dëshmi e Emilit bie në kundërshtim me atë se çfarë ajo ka deklaruar në Prokurori, pak ditë më parë.
Një raport me Joy-n e ka pohuar në polici edhe shoferi, por sipas tij marrëdhënie kishte përfunduar pak kohë para se Joy të gjendej e plagosur rëndë. Gjithashtu ajo mohon të ketë pasur dijeni se Joy ishte shantazhuar nga shoferi, ndërsa shtoi se ajo atë natë ishte në punë dhe se kur u kthye nuk e gjeti në banesë 22-vjeçaren.
Dëshmia e plotë për emisionin ‘Pa Gjurmë’
Gazetari: Përshëndetje Emily!
Emily Mutua: Përshëndetje!
Gazetari: Të telefonova sepse dua të të pyes në lidhje me Joy-n dhe dëshminë që ke dhënë në fundjavë për shoqen tënde, e cila tashmë nuk jeton më.
Emily Mutua: Po!
Gazetari: Çfarë dëshmove, çfarë di ti për ngjarjen që ndodhi në Gusht, me Joyn?
Emily Mutua: Unë isha në punë gjatë natës dhe shkova në shtëpi, por nuk e gjeta atë.
Gazetari: A kishte Joy lidhje intime me shoferin e kazinosë, Rodi Barçi?
Emily Mutua: Unë nuk e di nëse ishte një lidhje dashurie, por ata dilnin bashkë dhe ajo kurrë nuk tha që frekuentoheshin (ishin në lidhje).
Gazetari: A e shqetësonte ai atë?
Emily Mutua: Këtë nuk e di, më kupton, ishte çështje personale?
Gazetari: A ke ndonjë dyshim?
Emily Mutua: Realisht unë nuk e di se çfarë ndodhi, me të vërtetë do të doja ta dija se çfarë ndodhi. Nuk e di se çfarë ndodhi sepse kur shkova në shtëpi ajo nuk ishte atje, dhe pas 2 ditësh ajo u shfaq, e kupton?
Gazetari: A të ka kërcënuar Rodi ndonjëherë?
Emily Mutua: Kurrë, kurrë!
Gazetari: Po Joy-n? A e ka kërcënuar ndonjëherë?
Emily Mutua: Nuk e di sepse ata kishin marrëdhënie personale dhe unë nuk isha pjesë e saj.
Gazetari: Po përpara se të ndodhte ngjarja? A të tha Joy ndonjëherë ndonjë gjë të keqe, shqetësuese?
Emily Mutua: Jo! Ne nuk flisnim shumë për gjëra personale.
Gazetari: As në lidhje me Rodin?
Emily Mutua: Ne thjesht shkonim në punë, gatuanim, hanim, kjo është e gjitha.
Gazetari: Kur ishte hera e fundit që ti e ke takuar Joy-n?
Emily Mutua: Në punë, më datë 12 gusht.
Gazetari: Një ditë para ngjarjes?
Emily Mutua: Po!
Gazetari: Joy kurrë nuk të tha ndonjë gjë për Rodin?
Emily Mutua: Po, ata dilnim bashkë, por kurrë nuk më tha që ai e përndiqte atë, ajo kurrë nuk u ankua për ndonjë gjë, ajo kurrë nuk më tha mua ndonjë gjë, por i ka thënë shoqes së saj të ngushtë.
Gazetari: Joy Brenda?
Emily Mutua: Po!
Lidhur me vdeljen, Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko. 22-vjeçarja ndërroi jetë në Kenia. Joy u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia, aty ku dha frymën e fundit.
Ajo ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. E reja nga Kenia kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se ajo kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte.