Avokati Saimir Vishaj është shprehur këtë të premte se e njihte personalisht Dan Hutrën, autorin e tre vrasjeve dhe tre plagosjeve dy ditë më parë në Tiranë. Ai ka thënë se 41 vjeçari “e bleu” me lekë gruan e dytë.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai nënvizoi se gruaja përpiqej të ulte gjakrat në familje, ndërsa Dan Hutra ishte njeri krejt ndryshe.
“Unë e njoh shumë mirë Dan Hutrën. Ai dyshonte në një shtatzëni. Në Shqipëri gratë blihen me lekë dhe që nga ky moment ato duhet të jenë të nënshtruara, të rri brenda mureve të shtëpisë. Këto martesash na kanë kthyer 500 vite mbrapa. Unë e njihja si familje ishte shumë e mirë. Gruaja e dytë mundohej që të pajtohej që të ulte gjakrat. Hutra ishte njeri krejt ndryshe”, u shpreh Vishaj.
Më tej, gjatë fjalës së tij avokati ka treguar se Dan Hutra asnjëherë nuk ka pranuar që fëmija të ishte i tiji, duke akuzuar gratë se e tradhëtonin. Kështu ka ndodhur në ngjarjen e fundit, e po kështu dyshohet se ka ndodhur dhe në ngjarjen e 2007, ku ai theri për vdekje me thikë gruan e parë.
“Ky asnjëherë nuk e pranonte që fëmija është i imi. Këto janë probleme të psiko-motorit që vuan ai sepse një mashkull të ngrejë dorë mbi një femër, jo mbi një, por mbi disa tregon që ka një lloj skizofrenie që hyn më shumë në ato raportet e psikopatisë, sepse një njeri normal që vjen mbas 20 vitesh burgimi dhe të riaktivizosh ato qeliza për të realizuar vepra penale të tilla, aq të rënda që prekin Shqipërinë, është e tmerrshme”, shtoi Saimi Vishaj.