Rusia po kërkon një shpjegim zyrtar nga aleatja e saj, Serbia pas raporteve se Beogradi ka dorëzuar mijëra raketa në Ukrainë për luftën e saj kundër pushtimit rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova shprehu “shqetësimin më të thellë” në lidhje me këto lajme, të cilat mbërritën fillimisht nga një media proqeveritare ruse muajin e kaluar.
“Ne po e ndjekim me kujdes këtë histori,” u shpreh ajo në një deklaratë të postuar së fundi në faqen e ministrisë. Zakharova shtoi se armatosja e mundshme e Ukrainës përfaqëson një “çështje serioze” për marrëdhëniet serbo-ruse.Sipas raporteve që kanë vënë në alarm Kremlinin, një fabrikë shterërore serbe armësh ka dërguar së fundi rreth 3,500 raketa për raketahedhëset Grad të përdorura nga forcat e armatosura ukrainase.
Raketat 122 mm dyshohet se u transportuan në Ukrainë përmes Turqisë dhe Sllovakisë. Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç e mohoi këtë gjë, por jo mundësinë që raketat të kenë mbërritur atje nëpërmjet një pale të tretë.
“Nëse kompanitë private blejnë armë në tregjet e shteteve të treta dhe më pas ua shesin ato kompanive të tjera në vende të tjera, ky nuk është problem i Serbisë, kjo është tregti ndërkombëtare”, tha ai.
Beogradi mbetet aleati më i ngushtë i Moskës në Europë, me lidhje historike, fetare dhe kulturore që janë forcuar nga dekada të fushatave të propagandës pro-ruse atje, si dhe me mbështetjen që Rusia i bën pretendimeve serbe ndaj Kosovës.