Kursi i këmbimit të euros po bie në rënie të lirë, duke arritur poshtë kufirit të 115 lekëve. Luhatjet në këtë fillim marsi janë në nivelin e festave të fundvitit, dhe të njëjtin trend kanë edhe dollari e paundi britanik.
Monedha Europiane po bie në rënie të lirë, duke u këmbyer këtë të hënë 114.86 lekë, me kursin e Bankës së Shqipërisë. Rënia në këto nivele u pa edhe në fund të vitit 2022, në sezonin e festave. Agjentët e këmbimit valutor thonë se gjatë javëve të fundit blerjet e euros kanë qenë në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, ata shprehen se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta, nga individët.
Ndikim në favor të zhvlerësimit të euros dhe forcimit të lekut mund të ketë dhënë edhe bilanci tregtar i vendit. Sipas INSTAT, për muajin janar defiçiti tregtar u ul me 70% krahasuar me dhjetorin.
Edhe turizmi po bëhet një faktor me ndikim gjithnjë e më të rëndësishëm në bilancin e pagesave dhe si rrjedhojë edhe në kursin e këmbimit valutor.
Në të njëjtin trend janë edhe dollari e paundi britanik që po këmbëhen nën 108 dhe 129 lekë.
Zhvlerësimi i shpejtë i valutës së huaj, sidomos ai i Euros godet bizneset eksportuese dhe ato subjekte që marrin të ardhura në valutë dhe kryejnë shpenzime në lekë.