Ndryshojnë rregullat në Kodin Rrugor! Parlamenti miratoi një ditë më parë me 102 vota ndryshimet në Kodin Rrugor. Kështu ndryshimet kanë të bëjnë me:
-Patentat do të kenë afat vlefshmërie deri në 15 vjet, nga 10 vite që është aktualisht.
-Vlefshmëria çdo 15 vite deri në moshën 70-vjeçare do të jetë për patentat e kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç.
-Zgjatja në 70 vjeç, nga deri 65 që është, e të drejtës për Leje Drejtimi profesionale (me kufizim: Lejedrejtimet e kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, janë të vlefshme për 5 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç; për personat mbi 65 vjeç: lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 ton – lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1.
-Zgjatja e të drejtës për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është!
-Anulohet patenta shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit. Qytetarët mund të rimarrin patentën shqiptare pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse Leje Drejtimi e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Transportit Rrugor ka njoftuar se një nga ndryshimet është rregulli për shoferët e rinj që pajisen me patentat të kategorisë B. Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale DPSHTRR thotë se të gjithë shoferët e rinj që pajisen me patentë të tipit B nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/TON në 2 vitet e para pas marrjes së lejes së drejtimi. Me këtë ndryshim, drejtuesit e rinj të automjeteve nuk mund të drejtojnë automjete me motor deri në 1.5 për ato që punojnë me benzinë apo që janë hibride.
Makinat e mëposhtme janë brenda kufijve:
-Fiat 500 1.0 70 kf Hybrid Connect
-Ford Fiesta 1.1 Titanium 75 kf
-Renault Twingo 22 kWh Zen
-Citroen C3 1.2 PureTech 83 kf
-Fiat Panda 1.0 Hybrid 69 kf
-Hyundai i20 1.2 MPI 84 kf
-Kia Rio 1.2 84 kf
-Lancia Ypsilon 1.0 Hybrid 70 kf
-Mazda2 1.5 75 kf
-Opel Corsa 1.2 75 kf
-Renault Clio 1.0 SCe 67 kf
-Seat Arona 1.0 EcoTSI 95 kf
-Toyota Aygo Connect 1.0 VVTi 72 kf
Një masë e tillë është bërë e domosdoshme për të shmangur aksidentet e rënda si ato që kemi parë ditët e fundit. Vetëm një javë më parë, 20-vjeçari Klevis Ruçaj, i cili kishte më pak se 1 vit që kishte marrë patentën shkaktoi një aksident ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 3 të tjerë.