Diana Bahçja që u burgos 8 ditë pasi lindi foshnjen, tashmë është kthyer në banesën e saj në Shkodër. Në një lidhje direkte për “Milori Live”, gazetarja e Klan News Emi Kalaja tha se nëna lehonë ka kërkuar mirëkuptimin e mediave që sot të pushonte dhe të qëndrojë pranë djalit të saj të porsalindur.
Sipas gazetares, shumë njerëz brenda dhe jashtë vendit janë ofruar që të paguajnë gjobën prej 250 mijë lekësh si dhe të ndihmojnë këtë familje e cila jeton në kushte të vështira ekonomike.
Për vendimin e Gjykatës të lëshuar në 2020, por të ekzekutuar thuajse 3 vite më vonë, Diana Bahçja nuk ka pasur asnjë dijeni. Mësohet se ajo është nxjerrë me forcë nga shtëpia e ish-bashkëshortit, të cilët nuk e kanë lejuar të takohet me vajzën e saj 5-vjeçare. Ai e ka denoncuar për mungesën e pagesës që detyrohej vetëm pasi ajo është martuar.
Mirela Milori: Si ka qenë reagimi në Shkodër?
Emi Kalaja: Shkodra është treguar jashtëzakonisht e ndjeshme me këtë rast publik mediatikisht, menjëherë ka pasur reagime të shumta, veçanërisht duhet thënë në momentin që është parë fëmija që ushqehej në kushte jo të zakonshme, herë me kamomil e herë me qumësht lope, në pamundësi për të qenë pranë ngrohtësisë së nënës. Personalisht jamë dëshmitare e kushteve mjaft të vështira të kësaj familjeje. Kanë ardhur telefonata jo vetëm nga biznesmenë e shoqëri civile të Shkodrës, por edhe nga emigrantë të cilët i kanë siguruar fëmijës pelena, qumështin e formulës si dhe janë shprehur të gatshëm të paguajnë gjobën e cila ishte konvertuar në 50 ditë burg.
Mirela Milori: Si quhet djali?
Emi Kalaja: Nelidion.
Mirela Milori: Ti ke qenë vetë atje, si është gjendja e kësaj familjeje?
Emi Kalaja: Një banesë e improvizuar, mes të cilëve babai i bashkëshortit të Diana Bahçjas i cili është i paralizuar, gjyshja, mbesa e cila ka braktisur shkollën për t’u kujdesur për gjyshen edhe pse është 11 vjeçe, si dhe çifti e fëmija. Pra, në një banesë të improvizuar jetonin një familje e madhe në kushte shumë të vështira. Bashkëshorit është ndodhur në një situatë të paprecendentë sepse nuk ka gjetur punë pasi bashkëshortja e tij ka qenë në burg.
Mirela Milori: Si ka ndodhur momenti i arrestimit?
Emi Kalaja: Në momentin, sipas deklarimeve të familjarëve, ajo nuk ka pasur dijeni për këtë vendim të vitit 2020 që është ekzekutuar thuajse 3 vite më vonë. Në momentin që ajo kishte regjistruar djalin e saj në maternitetin e Shkodrës, është mësuar dhe adresa e saj. Më pas është thirrur në rajonin e policisë. Ajo ka shkuar në rajonin e policisë Shkodër bashkë me të shoqin dhe u ka thënë familjarëve të tjerë se do vonohej vetëm 30 minuta dhe u është lutur që të përkujdesen për foshnjen e porsalindur.
Mirela Milori: Cilat janë pretendimet e palëve, ka pasur dhunë? Janë ndarë me konsensus?
Emi Kalaja: Nga dëshmitë e zonjës apo të të afërmve thuhet se ajo është larguar nga ajo banesë prej dhunës, ka një vajzë 5 vjeçare. Edhe pse ka kërkuar që të takohet me vajzën, një gjë e tillë është refuzuar nga familja e ish-bashkëshortit, të cilët e kanë nxjerrë forcërisht nga shtëpia. Duke qenë se kanë kaluar disa kohë, ajo ka gjetur një fat të dytë, por nuk kishte qenë në dijeni se ka pasur një gjobë.
Mirela Milori: Ne planifikuam të bëjmë një lidhje pranë shtëpisë së saj, do doja të bënim publike arsyen pse nuk është bërë e mundur.
Emi Kalaja: I kemi kontaktuar vazhdimisht, Diana Bahçja duke falënderuar të gjitha mediat, ka kërkuar mirëkuptim për të pushuar, për të qenë vetëm me djalin e saj sepse është ekstremisht e lodhur. Ajo ka thënë se këto ditë kanë qenë ditë ferri për të dhe ka kërkuar që orët e mbetura të kësaj dite të ja dedikojë foshnjes së saj, dhe të nesërmen jemi të mirëpritur në banesën e saj.