Gjykata e Tiranës ka lënë në masën “arrest në burg” pa afat efektivin e RENEA-s Altin Morina, i arrestuar të martën pasdite te Komuna e Parisit me 113 mijë euro në makinë.
Efektivi Morina ka pretenduar në seancën e masës së sigurisë se paratë që iu gjetën në makinë i përkasin një biznesmeni, të cilit ia kishte marrë borxh.
Morina në seancë ka treguar edhe emrin e biznesmenit që sipas tij i ka marrë paratë për problemet e tij personale. Bëhet fjalë për një biznesmen ndërtimi.
“Paratë nuk vijnë nga produkt kriminal, i mora 20 minuta para se të arrestohesha. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë”, tha Morina.
Morina pretendon se i ka të gjitha dokumentet dhe statment bankare, por akoma nuk i ka dorëzuar.
Prokuroria e akuzon për pastrim parash dhe është tërhequr nga akuzat e shpërdorimit të detyres dhe fshehjes së të ardhurave. Sipas prokurorisë, shefi i RENEA-s ka qenë në survejim.