Fenomeni i vjedhjeve në zonën e Lushnjës po kthehet në një makth për banorët. Pas zonës së Darsisë ku disa javë më parë u vodhën disa banesa, këtë herë hajdutët u futën në aksion në Biçakaj, Allkaj e Qerret. Banorët tregojnë për Top Channel se hajdutët u janë futur deri në dhomat e gjumit.
“Ishin futur nga dritarja, kishin thyer dritaren dhe ishin futur në dhomën e gjumit ku flinte ai. Aty pastaj kishte marrë çantën dhe kuletën. Më pas kishte vjedhur dhe një makinë tjetër dhe ishte larguar,”- tregon një banore.
Të tjerë banorë shprehen se kanë frikë të qëndrojnë edhe në në shtëpitë e tyre gjatë natës, pasi mund edhe të sulmohen nga grabitësit.
“Kanë marrë makinën, kanë hyrë brenda, kanë vjedhur portofolin, kartat, lekët, njërit 100, tjetrit 200,”- shton një tjetër banor.
“Jemi në shtëpinë tonë, të rrimë me frikë. Nëse atë natë policia do kishte bërë patrullim në rrugë, do i kishte kapur. Do kishte parë makinën që kishte kaluar kishte marrë dhe lekët ai. Tani kemi frikë të rrimë në shtëpinë tonë,”- shprehën të tjerë banorë.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë të arrestuar për këto vjedhje të raportuara nga banorët.