Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia e Lushnjes, pasi nuk iu bind urdhërit të efektivëve dhe më pas u largua me shpejtësi, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi V. K., 42 vjeç, banues në Peqin. Pas testimit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet një 42-vjeçar në Lushnjë pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por shtoi shpejtësinë, duke u rrezikuar atyre jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin V. K., 42 vjeç, banues në Peqin, pasi gjatë natës, në vendin e quajtur “Rotondo e Çermës”, duke drejtuar automjetin, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, duke u rrezikuar atyre jetën.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale dhe ndjekjes nga shërbimet e Policisë, 42-vjeçari është kapur në fshatin Thanasaj, Lushnjë. Pas testimit me aparatin alkool-testues, rezultoi se shtetasi V. K. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.