Artisti i njohur Kastro Zizo, rrëfeu në News24 ndryshimin rrënjësor që ka bërë në mënyrën e tij të jetesës.
Teksa tregoi lidhjen e ngushtë që ka patur me nënën e tij të ndjerë, ai tha se ikja e saj nga kjo jetë e bëri atë të shtonte dozat e abuzimit, duke menduar se aty do të gjente ngushëllim. “Më ka ngrirë zemra”, u shpreh ai, duke shtuar se pas humbjes së njeriut të tij të shtrenjtë iu hapën disa rrugë artistike që deri në atë moment nuk i kishte menduar kurrë. Artisti tha se ka raste që e ndjen energjinë e saj dhe ka një lloj ‘komunikimi’, “Shpresoj që një ditë kur të jetë fundi i ciklit tim fizik, unë të kem mundësi të takohem me të”.
Gjatë rrugëtimit të tij në jetë, të cilin mund ta cilësojmë të vështirë për shkak të varësisë së krijuar nga pija, apo siç ai shprehet nga “jeta e shthurur”, Kastro gjithmonë ka patur pranë të atin, “Ka qenë aty në çdo moment të vështirë të jetës sime. Ka qenë një shok”. Kastro thase babai i tij është nga Frashëri i Përmetit dhe familja e tij ka lidhje me familjen Frashëri. “Ne tani jemi me mbiemër Bega, por jemi pasardhës të drejtpërdrejt të familjes Frashëri, ndryshimi ka ardhur si pasojë e ngjarjeve në familjen tonë. Para rreth disa 16 vitesh shkuam dhe në Ankara për të takuar stërstërkushërinjtë tanë”.
Kastro Zizo tashmë ka hequr dorë nga çdo abuzim, dhe ndikim të jashtëzakonshëm për këtë ka patur partnerja e tij Sara, “Po mos të ishte ajo nuk do të isha këtu, do të isha në një kafene, me listën e gjatë të borxheve të rakisë. Sara ka nxjerr në pah anën time të mirë”. Ndërkohë që djalin e vogël Danten, e cilësoi si “revolucionin shpirtëror të jetës së tij”.
Kastro u shpreh se gjëja më e mirë që ka bërë në jetë, pas fëmijëve, është heqja dorë nga abuzimet.
Moment shumë i bukur në studio ishte kur u shfaqën dy video-mesazhe nga babai dhe nga djali i tij i madh Dankan, të cilët nuk i kursyen fjalët e bukura për artistin.
Dashuria që Kastro ka për të tre fëmijët e tij është e madhe dhe e njëjtë për të gjithë. Por me sinqeritet ai pranoi se me djalin e vogël ka qenë një baba më i përkushtuar dhe i kujdesshëm, dhe kjo falë ndryshimit që ka bërë në stilin e tij të jetesës.