Familjarët e Pal Kolës, 60-vjeçari që humbi jetën pasi mori një plumb gjatë të shtënave ndaj televizionit Top Channel kanë rrëfyer se viktima kishte 6 muaj që punonte si roje sigurie pranë Top Medias. Ata kanë treguar se ai ecte disa kilometra në këmbë për të shkuar në punë. Pal Kola jetonte në zonën e Sharrës, nga ku përditë nisej me këmbë drejt Kasharit, ku ndodhet edhe godina e Top Channel.
“Ecte disa kilometra në këmbë për të shkuar në punë. Kishte 6 muaj që punonte”-kanë thënë ata jashtë kamerave.
Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar.
Roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.
Vrasja e rojës së Top Channel, reagon deputeti i PD: Shteti është rrëzuar, njëjtë si të sulmohej Ministria e Brendshme!
Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.