Lidhur me të shtënat me kallashnikov ndaj Top Channel, ku mbeti i vdekur roja 60-vjeçar, Pal Kola, policia bën me dije se mjeti i përdorur nga autorët e ngjarjes, i është vjedhur një pushuesi nga Kosova në vitin 2020, në Tale të Lezhës.
Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.
Sipas policisë, autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.
Kola jetonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte të mjerueshme dhe kishte nisur pune prej 6-muajsh në Top Channel, teksa punonte çdo ditë, edhe për festa, për bukën e gojës. I ndjeri çdo ditë, shkonte në këmbë nga Sharra në Mëzez, tek Top Channel, ku punonte roje për të mbajtur veten dhe familjen.