Grupi hetimor ka në dorë tre profile ADN-je të autorëve të sulmit ndaj Top Channel, ngjarje që solli vrasjen e rojes së sigurisë, Pal Kola. Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se përveç gjurmës së gjetur në njërën prej gëzhojave, grupi hetimor ka gjetur edhe dy profile të tjera AND-je në mjetin e përdorur nga autorët.
Bëhet fjalë për makinën ‘Range Rover’ që u gjet e djegur në afërsi të Golemit, pas ngjarjes së ndodhur. Një nga gjurmët e gishtit që është gjetur brenda në makinë në një fishek të paplasur, dyshohet se i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.
Një gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur brenda makinës që u përdor në sulmin ndaj Top Channel është prova që ka në dorë grupi hetimor për të zbardhur autorët e ngjarjes. Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se sot kanë përfunduar të gjitha akt ekspertizat e kryera në policinë shkencore. Në targë nuk është gjetur asnjë gjurmë, madje ka dyshime se provat në targat e djegura pjesërisht, mund të jenë dëmtuar nga zjarrfikësit, që shuan flakët në “Përroin e Agait”, aty ku u gjet mjeti tip “Range Rover”.
Gjurma e gjetur do të krahasohet me të të dhënat që ka policia shkencore. Më pas, Anila Hoxha thotë se do t’i dërgohet Europol-it me seli në Lion, metodë që është përdorur dhe në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.
Gazetarja Dorjana Bezat ka deklaruar se makina e personave që kryen sulmin me breshëri plumbash ndaj Top Channel ka pësuar defekt në momentin që ata po arratiseshin. E ftuar në “Zona Zero”, ajo tha se kjo pistë u ngrit duke parë që makina ishte djegur në mes të rrugës. Gjithashtu, ajo tha se një tjetër dyshim që e përforcon këtë pistë është fakti që Kavaja apo zonat rreth saj nuk janë zgjedhur asnjëherë për të djegur makinat e përdorura në krim, pasi aty mbërrin shumë shpejt zjarrfikësja. Dhe ashtu ka ndodhur e për pasojë, sipas gazetares, pjesa e përparme e makinës ka qenë thuajse e paprekur nga flakët që janë shuar shpejt.
“Ka dyshime që makina e përdorur nga autorët të ketë pësuar një defekt pas sulmit të kryer në godinën e Top Channel për shkak se ishte braktisur në mes të rrugës. Po ashtu, Në asnjë ngjarje kriminale Kavaja nuk është përzgjedhur si vendi ku krimineli zgjedh të djegë makinën, pasi zjarrfikësja mbërrin shumë shpejt, ashtu siç dhe mbërriti në këtë rast. Pjesa e parme e makinës është pothuajse e paprekur pikërisht sepse zjarri u shua shpejt. Dhe në këto dyshime, po kontrollohen dhe serviset pasi makina mund të ketë qenë në servis para përdorimit,”- deklaroi Bezat.
Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Autorët iu afruan objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe qëlluan me dy kallshnikovë. Më pas, ata u larguan në drejtim të Kasharit, u futën në autostradën Tiranë-Durrës dhe morën rrugën për në Golem ku dhe dogjën makinën e përdorur në krim. Deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme. Si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh.