Dritan Harapi një banor i Fierit, tregoi për “Stop” se kishte një tokë arë 5 mijë m2, të cilën ia shiti Llazar Shytit, për 13 milionë Lekë. Kontratën e bëri te noterja Anila Haxhiu në 21 Shtator 2022. Por nga 13 milionë Lekë mori vetëm 8 milionë dhe kur të bëhej kalimi i pronësisë, do të merrte edhe 5 milionët e tjera. Dritani thotë se në vend të Llazarit i erdhi në zyrë i biri, Dilaver Shyti, kryetar i Njësisë Administrative Dërmenas.
“Kam një problem për një shitje prone që kemi bërë me notere Anila Haxhiu. Në zyrë muhabetin për shitjen e tokës e kam bërë me Dilaver Shytin. Ky është kryetari i komunës në Dërmenas. Më dha 8 milionë Lekë ky Dilaver Shyti,”- tha denoncuesi.
Por pas 8 muajsh, akoma nuk ka marrë paratë edhe pse blerësi pretendon se ia ka kaluar noteres.
“Unë tokën ia kam dhënë. Ky më thotë mua që noterja ka humbur certifikatën e tokës që ia kam dorëzuar unë brenda te zyra e saj. Vete te zonja dhe më thotë, po, nuk e gjej dot, s’po e bëj dot. Ky muhabet vazhdon edhe sot. Pronën e dhashë dhe lekët unë nuk i kam marrë akoma. Se ku kanë ngelur këto lekë unë nuk e di,”- tha denoncuesi.
Denoncuesi shkon të bisedojë personalisht me Dilaver Shytin për këtë problematikë. Ndërsa ky i fundit i kërkon llogari bashkëshortit të noteres që të kalojë paratë.
Qytetari: O Dilaver, çfarë po bëhet për atë muhabetin tim?
Kryetari Dilaver Shyti: I ka kaluar që pardje.
Qytetari: Pardje pashë unë, s’ishte.
Kryetari Dilaver Shyti: Po do kohë ajo, se merret nga banka qendrore, merret konfirmimi, kalon pastaj.
Kryetari Dilaver Shyti: Ja ore, një minutë! Mbrëmë më tha, që i ka kaluar. Alo? O Ilir (ish-bashkëshorti i noteres), ore se më erdhi ky Harapi këtu ore. A më the, që ia kalove lekët? O Ilir? Po s’i kanë vajtur ore! Epo mirë ore dakord, po ik prapë shikoje atje! A të kam vlla!
Qytetari: Ça tha?
Kryetari Dilaver Shyti: I kam kaluar, tha ai.
Qytetari: Ore i ka çuar gjë, se pres edhe 10 ditë unë, se prita 8 muaj.
Kryetari Dilaver Shyti: Ore m’u betua për çunat, që i kam çuar, tha.
Qytetari: Të ktheu përgjigje ai ty?
Kryetari Dilaver Shyti: I kam çuar tha, për kokë të çunit.
Qytetari: Është e sigurt, mos të…?
Kryetari Dilaver Shyti: E sigurtë o vlla, se… O vlla, jo Flamuri ore, ore për këtë ore….
Qytetari: Dritan Harapi,- thuaji ore!
Kryetari Dilaver Shyti: Dritan Harapi, o shoku. E Llazit (babait të kryetarit), Llazit që i humbi hipoteka. O vëlla, po për këtë po të them unë, jo për atë Flamurin, ore. O po ma shiko një çikë, të lutem lidhu me Anilën! Hajde vëlla!
Qytetari: Tashi ça do bëj unë?
Kryetari Dilaver Shyti: Tani do presësh javës tjetër të marrësh lekët.
Qytetari: O Dilo, se vajti 8 muaj, po më telendis. Po ja pra, shiko çfarë më the ti, i ka kaluar. Tashi thotë, ia ka kaluar një tjetri.
Kryetari Dilaver Shyti: Po m’u betua ore! Dhe mbrëmë ishim bashkë, ia hodha Dilo, tha, pa merak!
Qytetari: Tashi ia ka hedh tjetrit ai.
Kryetari Dilaver Shyti: Jo, jo është Flamur Harapi ai.
Rrugës del edhe një falsifikim.
Kryetari Dilaver Shyti: Dëgjo tani cikë ti vëlla, do ta bënte ndryshimin ajo. Të bënim një letër false, që t’i merrje lekët. Unë i thashë bëj çfarë të duash, dua, që t’i kalojnë lekët. Nuk e dua tokën!
Qytetari: Po vetëm tek unë ky problem? Kunata, vjehrra…
Kryetari Dilaver Shyti: Po doli certifikata.
Qytetari: Unë, që jam…
Kryetari Dilaver Shyti: Eh, më i këputuri. Në darkë do vete vetë. Javës tjetër do t’i hedhë, se s’bën.
Qytetari: Nuk pres më!
Gazetarja bisedon me blerësin dhe ky i fundit telefon direkt bashkëshortin e noteres Ilirjan Ymeri. Ky i fundit thotë se i ka kaluar paratë.
“Unë ia kam mbyllur lekët këtij. Ia kam mbyllur në numrin e llogarisë së noteres. Me daljen e certifikatës në emrin e babait tim, zotëria merr lekët nga noterja”, tha Shyti.
Në këto kushte “Stop” shkoi te zyra e noteres Anila Haxhiu. Në fillim ajo mohon identitetin e saj. Noterja po ashtu refuzon të japë shpjegime, përdor dhunë verbale dhe fizike me gazetaren e emisionit Stop dhe njofton policinë. Haxhiu fillimisht tentoi të nxjerrë me dhunë gazetaren nga zyra noteriale. Por çuditërisht, prapë me dhunë, e kyç brenda duke mbajtur peng një person.
Gazetarja: Anila Haxhiu?
Anila Haxhiu: Jo nuk është Anila.
Gazetarja: Po ku mund ta gjejmë?
Denoncuesi: Kjo është Anila.
Anila Haxhiu: A mund të dalësh pak jashtë të lutem një moment.
Gazetarja: Mos më gënje, nëse je Anila…
Anila Haxhiu: Po ç’të duhet ty?
Gazetarja: Më duhet, jam gazetarja, e drejta e informimit, neni 4. Keni bërë një kontratë noteriale…Pse nuk ia keni dhënë diferencën.
Anila Haxhiu: O zonjë, të marr pak policinë të dalësh pak.
Gazetarja: Merre policinë, është e drejta jote. Keni një kontratë shitjeje mes dy palëve dhe shuma e likujdimit ka qenë 13 milionë e 449. Zotërisë i janë dhënë 8 milionë e ca dhe duhet t’i kthehet një shumë tjetër 5 milionë e 49 mijë lekë. Sapo pyeta palën tjetër, tha që i ka në llogari noterja.
Anila Haxhiu telefonon policinë: Dikush futet pa dëshirë në zyrë.
Gazetarja: Jo dikush, është emisioni Stop dhe jo pa dëshirë, është e drejta e informimit.
Anila Haxhiu: Të lutem më duhet mbështetja juaj tani.
Gazetarja: Ndërkohë që vjen policia a mund të më sqaroni pak pse i mbani lekët qytetarit?
Anila Haxhiu: Do bëj kallëzim për këtë zonjë. Mund të dilni të gjithë jashtë. Mund të dalësh pak jashtë. Presim këtu policinë.
Tërheq gazetaren
Gazetarja: Mos më prek. Pse më prek? Mos më prek.
Tenton të mbyllë derën dhe lë gazetaren brenda
Gazetarja: Kjo është noterja. Nuk ke pse e mbyll ti.
Anila Haxhiu: Brenda aty.
Mbyll me dhunë derën
Gazetarja: Miq të Stopit këtu ndodhemi tek zyra noteriale e noteres Anila Haxhiu e cila nuk e di ça ka bërë, por na ka marrë peng, na ka mbyllur brenda. Kamera e ka fokusuar që më ka mbyllur pa të drejtë. Hape derën se po mban peng një person.
Anila Haxhiu: Peng do të të mbaj.
Gazetarja: 5 milionët i mbajte peng.
Anila Haxhiu: Dakord.
Gazetarja: Duhet t’i ktheje brenda 24 orëve. Po më mban dhe mua peng. E presim jashtë policinë se nuk iki pa merak.
Pasi noterja kthjellohet dhe liron gazetaren e emisionit “Stop” në moment vjen një person që rezulton se është burri i noteres, Ilirjan Ymeri ku godet pas shpine në pjesën e kokës, operatorin e emisionit “Stop”, Igli Zela. Pastaj i vërsulet gazetares së “Stop” e cila në ato momente po mbante në dorë aktin noterial si dhe celularin. Ky i fundit e nxjerr inatin me celularin duke e thyer. Pas grupit të xhirimit nuk mjaftohet me kaq, por dhunon edhe denoncuesin që solli rastin në “Stop”.
Gazetarja: Të lutem mos më prek.
Ilirjan Ymeri e godet dhe thyen celularin e gazetares.
Ilirjan Ymeri dhunon edhe denoncuesin.
Gazetarja: Siç e shihni vjen një qytetar, i paidentifikuar, ai personi me bluzen vishnje dhe dhunon grupin e xhirimit të emisionit “Stop” dhe qytetarin. Policia dy sekonda. Odeta Gjevori, gazetare nga emisioni “Stop”. Është rrezikuar grupimi i xhirimit.
Polici: Ejani me mua sepse ka marrë ajo në telefon, nuk e di çfarë problemi ka.
Gazetarja: Për çfarë ka marrë në telefon, që më mbylli mua brenda dhe doli përjashtë që erdhi bashkëshorti i saj dhe dhunoi grupin e xhirimit?
Polici: Ejani në komisariat.
Gazetarja: Për çar të vij në komisariat tani?
Polici: Sepse ka pretendime ndaj jush. Pse nuk bëni kallëzim?
Gazetarja: Po re do vij ta bëj./tvklan.al