Në moshën 16-vjeçare, Aleksandra u dashurua pas një djali që sot është bashkëshorti i saj. Siç tregon ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, për një vit lidhja ishte tërësisht e fshehtë. Një ditë, teksa shëtisnin gjyshja e Aleksandrës sheh dy të rinjtë dhe shpreh haptaz kundërshtimin e saj për lidhjen e tyre.
Nga ana tjetër, i dashuri i Aleksandrës i kërkon të jetojë menjëherë me të që lidhja të mos shkëputej. Aleksandra pranon, por nga ana tjetër marrëdhënia me gjyshen që e kishte rritur që pas divorcit të prindërve, u kris.
Aleksandra: Shkova në familjen e bashkëshortit, ata më pritën shumë mirë por gjyshja nuk është se më fliste. Që nga ajo ditë nuk u përzie më fare me punën time, thoshte që “nuk dua ta shikoj më, nuk dua t’ia di kush është” sepse u inatos shumë dhe unë gati 3 muaj me nënën fare nuk kisha komunikim.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë mua më rezulton që gjyshja mbi të gjitha kishte merakun e shkollës tënde.
Aleksandra: Po, ajo është meraku kryesor.
Ardit Gjebrea: Ti e vazhdove shkollën?
Aleksandra: Jo.
Ardit Gjebrea: Pra të rrit me gjithë ato sakrifica dhe papritmas, ti ta kesh me jetë bashkëshortin, më duket se je bërë edhe mama, ke edhe një djalë.
Aleksandra: Po.
Ardit Gjebrea: Ta kesh me jetë familjen tënde, por edhe ajo shkolla që ke lënë është thikë në zemër për gjyshen tënde.
Aleksandra: E di.
Ardit Gjebrea: Dhe nuk të foli më.
Aleksandra: Jo, nuk më foli më.
Ardit Gjebrea: Por pati një moment.
Aleksandra: Pati një moment. Pas 3 muajve që isha larguar nga gjyshja, pati një debat mes njerëzve të bashkëshortit dhe gjyshes. Në atë moment, nuk durova dot kur dëgjova fyerje për gjyshen dhe vendosa të kthehem prapë te gjyshja. Vendosa dhe ajo më pranoi, më hapi derën. Thjesht e kuptova që atë në aq pak muaj e kishte marrë shumë malli për mua.
Ardit Gjebrea: Po ti e le prapë.
Aleksandra: Po. E lashë se nuk doja të më shkonte jeta dhe mua si prindërit e mi. E mora prapë bashkëshortin tim dhe gjyshja që në atë moment vendosi që mes nesh nuk do ketë më pajtim apo komunikim dhe kam gati 3 vjet që nuk kam fare komunikim.
Aleksandra thotë se ka bërë tentativa për t’iu afruar, por vëllai i madh dhe motra nuk i flasin. Ata përkrahin qëndrimin e gjyshes së tyre, pavarësisht se herë pas here Aleksandra dhe gjyshja shihen rastësisht me njëra-tjetrën.
Aleksandra: Jetojmë në të njëjtën lagje, kemi pasur edhe rastisje, domethënë e kam parë pothuajse çdo ditë.
Ardit Gjebrea: Gjyshen?
Aleksandra: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe çfarë bën?
Aleksandra: Thjesht ndërron rrugën./tvklan.al