NASA ka njoftuar emrat e katër astronautëve, të cilët do të jenë njerëzit e parë që do të kthehen në Hënë në më shumë se 50 vjet. Në mesin e katër është astronautja Christina Koch, e cila do të jetë gruaja e parë që do të shkojë rreth Hënës. Deri më tani, vetëm astronautët meshkuj kanë qenë në orbitën hënore dhe në sipërfaqe. Misioni i ri shënon mbërritjen e parë të një gruaje astronaute në Hënë. Nasa njoftoi se Koch do të bashkohet me astronautët Jeremy Hansen, Victor Glover dhe Reid Wiseman në misionin 10-ditor rreth Hënës.
Njoftimi nis zyrtarisht përgatitjet për misionin 10-ditor Artemis-II, i cili do ta sjellë njerëzimin një hap më afër uljes në Hënë sërish që nga misionet Apollo. Hera e fundit që njerëzit ecën në Hënë ishte në vitin 1972 kur komandanti i Apollo 17 Eugene Cernan la gjurmët e tij në satelitin natyror të Tokës. Objektivi i fluturimit Artemis II, një udhëtim 10-ditor, 2.3 milionë kilometra rreth hënës dhe kthimit, është të demonstrojë se i gjithë aparati i Orion-it për mbështetjen e jetës dhe sistemet e tjera do të funksionojnë siç janë projektuar me astronautët në bord.
Gjatë misioneve Apollo nga viti 1968 deri në vitin 1972, NASA dërgoi në hënë 24 astronautë. Dymbëdhjetë prej tyre zbritën në sipërfaqen hënore. Që të gjithë ishin pilotë testimi të trajnuar nga ushtria amerikane, përveç Harrison Schmitt të misionit Apollo 17, një gjeolog që e mbylli atë epokë të zbarkimit në hënë së bashku me të ndjerin Gene Cernan. Nëse misioni i parë shkon mirë, NASA synon që brenda vitit 2025 të ulë në hënë dy astronautë.