Një i ri shqiptar, i cili kultivonte kanabis në Oldham të Britanisë së Madhe, theu dy rruaza duke u hedhur nga dritarja në një përpjekje të dëshpëruar për t’i shpëtuar policisë, u tha në Gjykatë.
Admir Hidri që në Shqipëri kishte punuar si polic bashkiak, u paraqit në Gjykatën e Kurorës së Minshull Street të mërkurën (5 prill) dhe u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit dhe u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim.
Prokurorja Lisa Boocock i tha gjykatës se si më 12 dhjetor të vitit të kaluar policia gjatë një kontrolli me helikopter vuri re nxehtësinë që dilte nga një shtëpi në Failsëorth dhe shkoi për të kontrolluar.
Por sapo ai pa oficerët jashtë Hidri u hodh nga dritarja e banjës së katit të parë në përpjekje për t’u arratisur. Gjatë hedhjes 23-vjeçari theu dy rruaza në shpinë. Ai u arrestua dhe policia i gjeti dy telefona, si dhe 125 £.
Hidri tha para policiëve se po kujdesej për bimët e kanabisit për të shlyer një borxh dhe ishte “në frikë për jetën e tij”. Gjykata britanike mësoi se Hidri punonte si polic në Shqipëri kur nëna e tij u sëmur.
Dhe sipas tij për të paguar për trajtimin e nënës, Hidri mori para borxh nga “figurat kriminale vendase”.
Por kur nuk mundi të shlyente borxhin, ai pranoi të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar për t’u kujdesur për bimët narkotike. Në pronën ku Hidri jetonte në Failsëorth, policia zbuloi 91 bimë kanabisi me një vlerë prej 800 £ për bimë dhe një vlerë të përbashkët prej rreth 70,000 £.