Talenti dhe përkushtimi ndaj muzikës e dërguan Edlirën drejt Gjermanisë duke lënë pas nënën dhe vëllanë e saj të vogël që erdhi në jetë nga martesa e dytë e mamasë. Në Gjermani ajo krijoi familje dhe solli në jetë dy djem por pas disa kohësh vendos të kthehet sërish në Shqipëri.
Kjo solli ndarjen nga bashkëshorti dhe një përsëritje të historisë që Edlira rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku rrëfeu se prindërit iu ndanë kur ishe 6-muajshe. Edlira thotë se prevaloi dashuria e madhe për nënën që e bëri të kthehej sërish.
Edlira: Në Gjermani vazhdoja shkollën, vazhdoja të punoja dhe me muzikë dhe njihem me babanë e fëmijëve që është shumë i dashur, shumë i sakrificës për dy fëmijët që kam. Kam dy djem, njëri është 17 dhe tjetri 13 vjeç.
Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur që ai bën për fëmijët, por po kaq një bashkëshort duhet të bëjë për nënën e fëmijëve. Ju nuk jeni më bashkë apo jo?
Edlira: Jo, nuk jetojmë më bashkë. Unë jam me të dy fëmijët.
Ardit Gjebrea: Pse i ike ti atij?
Edlira: Pasi unë u mërzita nga Gjermania, u lodha shumë pasi kisha shumë vite në emigrim, shkoja-vija dhe si të them më erdhi në majë të hundës. Nuk mundem më, thosha dhe brenda 24 orëve i kam lëshuar të gjitha.
Ardit Gjebrea: Edhe burrin, edhe fëmijët?
Edlira: Të gjitha, jo fëmijët erdhën më pas pastaj. Kur i kam thënë bashkëshortit që unë po e lëshoj Gjermaninë ai është habitur dhe më thotë “mos” por s’e pyeta sepse kisha një mall të jashtëzakonshëm për mamanë dhe për vëllain që kisha lënë këtu për vite të tëra. Vija një herë në vit…
Ardit Gjebrea: Kam një pyetje. Mamaja apo babai i fëmijëve të tu?
Edlira: Mamaja.
Ardit Gjebrea: Por është familja, publiku reagoi menjëherë dhe të llogarisësh që janë të gjitha nëna dhe “ah” thanë, “jo”. Kam përshtypjen nuk pajtoheni, jo?
Publiku: Jo!
Ardit Gjebrea: Nuk pajtohen. Pra si mund të lihet bashkëshorti kur ti krijon një familje sepse ti ke dy djem. Nëse dy djemtë e tu do t’i linin nuset për mamanë, si do të të vinte?
Edlira: Nuk e di, ndoshta ka qenë tjetër kohë ajo që kam menduar ndryshe dhe jam nxituar, por…
Ardit Gjebrea: Je penduar?
Edlira: Por edhe jam penduar, edhe ‘sjam penduar. Përderisa kam pasur forcë që kam ecur përpara…
Ardit Gjebrea: Kur ti thua që jam rritur pa atë figurën atërore, ke patur një zemërim përbrenda për atë që i ndodhi prindërve të tu kur ishe fëmijë?
Edlira: Patjetër.
Ardit Gjebrea: Por pse duhet t’ua jepje fëmijëve të tu për mamin tënd këtë gjë?
Edlira: Atyre ua kam dhënë në mënyrën më të bukur, më të dashur, më të mirën.
Ardit Gjebrea: E di.. sa vite ke që je kthyer në Shqipëri?
Edlira: 16. Por ai ka ardhur, i ka takuar non stop, por mua më mjafton që është një prind shembull.