Për këtë javë vendi ynë do të ndikohet kryesisht nga kushte të qëndrueshme atmosferike por duke përjashtuar ditën e sotme si dhe atë të Premte. Pas ditësh të tëra të ndikuar nga një sistem frontal më në fund mbi vendin tonë do të depërtojnë edhe masa ajrore të thata me origjinë jugperëndimore.
Por sic u tha dhe më lartë për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Edhe pse dita nisi me kthjellime me kalimin e orëve pritet shtimi i vranësirave deri të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Hera-herës përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në periudha afatshkurtra do të jenë të rrëmbyeshme në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Por, duke filluar nga dita e Martë dhe deri ditën e Enjte mbi vendin tonë depërtojmë masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata. Moti parashikohet i kthjellët si dhe vranësira kalimtare kryesisht në mesditë dhe pasdite. Gjithashtu pritet edhe rritje graduale e temperaturave si në vlerat minimale ashtu dhe ato të mesditës.
Megjithatë, duke filluar nga dita e Premte mbi vendin tonë rikthehen kushtet e paqëndrueshme amtosferike. Më konkretisht ditën e Premte pritet kalimi i shpejtë i një fronti të ftohtë atmosferik. Moti parashikohet me vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive. Duke filluar pas orëve të mesditës të diës së Premte moti mbetet përsëri i vranët por reshjet e shiut humbasin intensitet dhe bëhen të herëpashershme të dobta dhe lokale. Gjithashtu pritet dhe rënie e ndjeshme e temperaturave në vlerat e mesditës (shih tabelën bashkëlidhur).