Karabinierët italianë kanë arrestuar, mëngjesin e sotëm, mësuesen Laura Bonafede, e cila kishte ndihmuar kreun mafioz Matteo Messina Denaro. Ajo akuzohet për ndihmë dhe nxitje, si dhe prokurim të moszbatimit të dënimeve të rënduara me metodën mafioze.
Mësuesja 56-vjeçare e shkollës fillore, është vajza e bosit historik të Campobello di Mazara, aleatit të Denaros dhe pjesë e rrjetit të njerëzve që mbronin bosin mafioz gjatë fshehjes së tij.
Ajo u pikas në një supermarket dhe u dallua nga kamerat e sigurisë dy ditë para arrestimit të bosit mafioz, pasi bënte pazare për të nga frika se ai mund të infektohej nga Covid dhe nuk mund të dilte jashtë.
Laura Bonafede e cila kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë sentimentale, mbrojti të arratisurin që nga viti 1997, kur Matteo jetonte ende i fshehur me të atin, Don Ciccio Messina Denaro.
Ajo është njëkohësisht gruaja e vrasësit Salvatore Gentile, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për dy vrasje të kryera me urdhër të Messina Denaros.
I gjithë operacioni u zhvillua pas polemikave që shpërthyen pas përhapjes së lajmeve të para për marrëdhënien me bosin mafioz. Mësuesja u dyshua si strumbullari rreth të cilit rrotullohej e gjithë periudha e arratisjes së kumbarit. Ajo i siguronte nevojat e përditshme bosit të mafies, i cili ishte shtruar në një spital në një provincë për problemet me shëndetin.
Para saj u arrestua kushëriri i saj Andrea, topografi që huazoi identitetin e përdorur nga shefi për t’iu nënshtruar trajtimit të kancerit, kushëriri tjetër, i quajtur gjithashtu Andrea, punonjësi i bashkisë që bleu qindra receta mjekësore për Messina Denaron. Një familje e tërë e përkushtuar për kujdesin dhe mbrojtjen e shefit.
Kumbari i mafies siçiliane ra në pranga më 16 janar. Policisë italiane iu deshën plot 30 vite për të rënë në gjurmët e tij.