– Gazetari investigativ Artan Hoxha vazhdon dhe i qëndron mendimit të tij, se i zhdukuri Ervis Martinaj është ekzekutuar. Në një intervistë që ka dhënë për “Euroneës”, Artan Hoxha tha se kryeministri Edi Rama e di të vërtetën për vrasjen e tij, duke shtuar se në ndihmë të 6 bandave kriminale që sipas tij morën pjesë në ekzekutim ishin edhe agjensitë e zbatimit të ligjit. Po ashtu, ndër të tjera, gazetari shtoi se ka një përgjigje për fatin e tij, por nuk ka prova për të vërtetuar eliminimin e atij që Artan Hoxha e ka cilësuar si “armik publik”.
Shiko minutën e 20.00
“100 ditëshin që dha kryeministri e dinte dhe vetë që nuk e besonte. Për mua Ervis Martinaj është tradhëtuar, rrëmbyer, shitur dhe më pas është eliminuar. Për mua ka qenë një strukturë kriminale, komando, që ka përdorur mjete dhe uniforma policore. Për mua ky veprim është bërë nga aleanca e 6 grupeve kriminale të Shqipërisë. U lejua një aleancë kriminale për arsye madhore duke u mbështetur në informacionin e siguruar nga agjensitë e zbatimit të ligjit. Duke u mbyllur një sy dhe duke i lënë të lirë të vepronin. Martinaj ishte kthyer në armik publik, administronte një industri që kishte autonomi veprimi. Ndaj tij kishte shumë interesuar që të dilte nga qarkullimi. Nuk ka asnjë informacion. SPAK e heton për llogari të “Plumbi i artë”, e kërkon akoma. Prokuroria e Kurbinit e kërkon për eliminim fizik. Sot nuk ka asnjë përgjigje. Ata e kanë një përgjigje. Besoj se Rama e di çfarë ka ndodhur me Martinajn por përgjigjia duhet dhënë me prova. Panorama është kjo: Shkodra, Durrësi dhe Vlora janë qarqet problematike. Tirana duhet të jetë vigjilente se i mbledh të gjitha,”-tha Artan Hoxha.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.
Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë.