Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe e dhimbshme, është zbuluar së fundmi në mediat e mëdha botërore. Ish-talenti i Arsenalit, Daniel Cain, tashmë 23-vjeçar, kërkonte të bëhej një nga lojtarët më të mirë të globit, por një dashakeqësi bëri që ai tashmë të luftojë me jetën.
I riu, i cili është diplomuar edhe si inxhinier elektronik, përfundoi në gjendje të rëndë pas një mbrëmjeje me miqtë. Sipas “The Sun”, i riu konsumoi një koktej dhe dyshohet se dikush i ka futur diçka në pije, që i shkaktoi një arrest kardiak dhe pasoi me dëmtime shkatërruese për trupin e tij.
Mjekët arritën ta kthejnë në jetë pas plot 24 minutash, por truri dhe palca kurrizore mbetën pa oksigjen për një kohë të gjatë. Pasi kaloi 25 ditë në koma, i riu u zgjua dhe funksioni i tij njohës filloi të rikuperohej, megjithëse kujtesa e tij afatshkurtër ishte dëmtuar ndjeshëm.
“Kur u zgjua nuk mund të bënte asgjë, nuk mund të lëvizte, ishte si një i porsalindur, por infermieret thanë se po i ndiqte me sy. Ai tani gradualisht po kthehet dhe po përmirësohet gjatë gjithë kohës”, tha Tracey Cain, nëna e Danielit.
Dy vjet e gjysmë pas asaj ngjarjeje të rëndë, Daniel Cain është në shtëpi me familjen e tij dhe ka nevojë për kujdes 24 orë. Për t’u përpjekur t’i rikthehet ecjes, Cain i nënshtrohet një procesi rehabilitimi me Neurokinex, një trajtim për të cilin familja duhet të paguajë 68 euro në orë (më shumë se 2200 euro në muaj).