Në një intervistë me Grida Dumën në “Top Story” në Top Channel, Edi Rama u ndal edhe te një nga momentet më të përfolura gjatë karrierës së tij politike. Publikimi i fotove nudo në plazh, në vitin 2007, para fushatës për postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit.
Rama ka folur për herë të parë rreth kësaj teme duke zbuluar detaje.
Kryeministri rrëfeu se e kishte lënë kutinë me fotografi në bagazhin e makinës, pasi asokohe ishte shumë i pavëmendshëm dhe i shkujdesur. Një ditë, i ra telefoni dhe dikush e shantazhoi.
“Një ditë të bukur më bie telefoni dhe e ngrita. Dikush me një zë shqetësues më tha: ‘Shiko, duhet të bëhesh gati të paguash se ke dhe fushatën përpara’. Nuk po e kuptoja se çfarë po thoshte. E pyeta se kush ishte dhe më tha: ‘Do e kuptosh, por përgatitu të paguash mirë’,” tregoi Rama.
Në vijim, kryeministri shtoi se personi që e shantazhoi fillimisht, e telefonoi sërish pas 10 ditësh për t’i thënë se “do të tmerrohen gratë e gjithë gocat e gjithë familjet e këtij vendi.”
“Pata një flash që janë fotot. I kërkova dhe nuk i gjeta dhe makina kishte shkuar në një vend dhe aty gjërat kishin humbur. Kështu e kisha një përgatitje. Kur erdhën fotografitë në zarf në zyrë, u thashë që ‘nuk paguaj gjë, bëni çfarë të doni’. Nuk bëhej fjalë të paguaja se s’kisha bërë gjë. E ndava mendjen që duhej të përballesha më të vërtetën. Më vinte plasja ta fshihja këtë gjë. Isha në një plazh nudist me të dashurën time. Kam qenë njeri i lirë, nuk e lashë fushatën në mes për të ikur atje. Kam pasur gjithmonë besim te shqiptarët, sepse janë të mprehtë edhe për gjëra të caktuara që mund të diskutojnë njerëzit dhe e kanë të fortë instiktin se kush ka të drejtë. Në këtë pikë thoja: ‘Çfarë është kjo në fund të ditës?”, ka treguar Kryeministri.