Federata Shqiptare e Rafting iu ka bërë thirrje agjencive, operatorëve turistikë, si dhe mediave televizive, që të informojnë turistët e huaj për rrezikshmërinë e hyrjes në kanione pa informacionin dhe pajisjet përkatëse.
Kjo deklaratë vjen dy ditë pas zhdukjes së turistit hollandez në kanionin e Osumit, i cili po bënte rafting së bashku me bashkëshorten e tij, ku fatmirësisht kjo e fundit arriti të shpëtojë nga rrjedhja e ujit.
Më tej Federata këshillon turistët që duan të bëjnë aktivitete sportive, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara dhe të trajnuara nga Federata e Rafting, për t’u pajisur me të gjitha informacionet dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në siguri të plotë.
DEKLARATË PËR SHTYP FEDERATA SHQIPTARE E RAFTING 10 MAJ 2023:
Të hënën më 8 maj 2023, ndërsa skuadra e Albania Rafting Group ishte në kanionet e Osumit me një grup turistësh, pa trupin e një njeriu pa ndjenja. Bëhej fjalë për shtetasen holandeze Helma Schurmmans, e cila ishte në hipotermi. Zonja u gjet vetëm me rrobat e trupit, pa jelek shpëtimi, pa skafandër, pa kostum dhe xhup termik, të cilat janë pajisjet e domosdoshme për të praktikuar rafting, kayaking dhe eksplorim kanioni në siguri.Shtetases holandeze iu dha ndihma e parë brenda në kanion nga guidat e Albania Rafting Group dhe më pas u transportua në spitalin e Çorovodes ku mori ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Fatkeqësisht rezulton ende i humbur bashkëshorti i saj, shtetasi holandez Jules Schurmmans.
Skuadra e Albania Rafting Group po bashkëpunon me Forcat Speciale RENEA dhe Policinë e Shtetit për ta gjetur atë. Federata Shqiptare e Rafting shpreh shqetësimin e saj për ngjarjen dhe bën thirrje që të gjithë personat, vendas apo të huaj, të cilët bëjnë aktivitete sportive dhe aventure si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara dhe të trajnuara nga Federata Shqiptare e Rafting për t’u pajisur me të gjitha informacionet dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në siguri të plotë. Federata kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe në mënyrë të veçantë, të të gjitha agjencive dhe operatorëve turistikë, të mediave televizive dhe të shkruara që të informohen turistët e huaj për rrezikshmërinë e hyrjes në kanion pa informacionin dhe pajisjet përkatëse.
Përveç kësaj i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor që të gjitha destinacionet turistike natyrore dhe të sportit të aventurës të pajisjen me tabela informuese për nivelin e vështirësisë dhe pajisjet e nevojshme profesionale që kërkon eksplorimi apo aventura në zona të caktuara. Është e domosdoshme që të gjithë turistët të jenë të shoqëruar nga guida të trajnuara nga federata dhe institucionet e posaçme dhe me eksperiencë. Rafting, kanyoning dhe river hiking janë disiplina shumë të bukura por shumë komplekse dhe të rrezikshme nëse guidat nuk janë të trajnuara dhe të kenë eksperiencën e duhur. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve për ta bërë rafting si sport dhe aktivitet turistik sa më të sigurt.