– Zbulohen detaje të reja nga dosja hetimore e Milena Derajt, mashtruesja e arrestuar nga Policinë e Tiranës, e cila u mori gati 600 mijë euro familjes Verracaku nga Shkodra dhe mikeshës së saj. Sipas dosjes hetimore, mëson se personi që është mashtruar nga Deraj është Elira Shyti, me të cilën ka pasur marrëdhënie shoqërore. Duke qenë se Deraj kishte punuar në bankë, i premtoi shoqes së saj Shyti që të investonte në bono thesari, e më pas do të përfitonte nga interesat që do të merrte. Paratë e investimit Elira Shyti i ka dhënë Derajt një pjesë në bankë, por pjesën tjetër ia ka dhënë në dorë.
Në bankë i ka kaluar 2 transaksione me shumën e parë prej 47 mijë euro dhe të dytin prej 20 mijë euro. Akuzuesja ka deklaruar se paratë ia ka dhënë në shuma të ndryshme që variojnë nga 10 deri në 30 mijë euro, para që sipas saj i merrte borxh nga të afërmit. Megjithatë, kur Shyti po shihte se paratë nuk po i ktheheshin mbrapsht, ashtu siç i ishin premtuar arriti që të bindte shoqen e saj që të firmoste me të një deklaratë noteriale që vërtetonte shumën që i kishte dhënë, plot 225 mijë euro. Në kërkim të parave të saj, të cilat nuk po i ktheheshin, Elira Shyti takoi edhe burrin e Milenës, Genci Llakaj. Sipas dëshmisë së Elirës para hetuesve, Genci punonte në Kryeministri dhe ai e kishte garantuar që do t’i kthenin të gjitha lekët, bashkë me fitimin.
MASHTRIMI NË SHKODËR
Lidhur me rastin e mashtrimit të familjes Verracaku në Shkodër, ndërlidhës mes Derajt dhe Verracakëve ishte vetë Elira Shyti, e cila ishte mashtruar nga mikesha e saj. Shyti prezantoi punonjësen e Kuvendit, Milenën me një person tjetër të njohur të familjes Verracaku, Afërdita Ferracakun. Gjatë bisedës me të, Deraj ka arritur të bind Ferracakun se njeh një avokat të mirë, i cili mund t’u lehtësonte pozitat në gjykatë Hasan Verracakut dhe djemve të tij, Shyqyriut dhe Abedinit, të cilët akuzohen për 2 vrasje të ndodhur pak vite më parë në Velipojë. Sipas Derajt, avokati u ka thënë se me provat që ka prokuroria të akuzuarit nuk mund të lirohen nga burgu, por nëse japin 340 mijë euro i kishte siguruar se do të shpëtonte nga burgimi i përjetshëm. Kështu, vetëm që vetëm që familjarët e tyre të shpëtonin me kërkesën për gjykim të shkurtuar. Verracakët ranë dakord për dhënien e parave, shumë që do ta siguronin në harkun kohor të 6 muajve.
Pas kësaj kohe u takuan 3 herë për dhënien e parave në disa pjesë, herën e parë tek lulishtja “1 Maji” Abedini i ka dhënë 80 mijë euro, të dytën në të njëjtin vend 70 mijë euro, dhe të tretën pranë Bankës së Shqipërisë i ka dhënë pjesën tjetër të mbetur të parave. Me kalimin e kohës, kur Verracakët po kuptonin se nuk po bëhej asgjë me gjyqin e tyre, Abedin Verracaku i ka shkruar në aplikacionin “Signal” Milena Derajt dhe e ka kërcënuar që të mos dalë nga Shqipëria as ajo dhe as djali pa paguar borxhin prej 340 mijë euro. Ndryshe do ta paguante. Kështu e ndjerë e kërcënuar, Milena është paraqitur më pas në Polici. Por pa e ditur që atë e kishte denoncuar edhe shoqja e saj…