Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin për Elsi Levendin, i akuzuar për vrasjen e ish menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti. Ai është dënuar me 16 vite burg por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 10 vite e 8 muaj në burg.
Elsi Levendi akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të Jurgen Kurtit. Vendimi në apel u mor sot nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Elona Toro dhe anëtare Edlira Petri dhe Lutfije Celami, të cilët vendosën lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të dhënë më 01.03.2021.
Jurgen Kurti humbi jetën më 18 mars 2019 në një atentat të bërë në zonën e Sheshit Wilson kryeqytet, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Ai u qëllua për vdekje disa herë me pistoletë nga dy persona, të maskuar. Kurti sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe po kalonte trotuarin për t’u ngjitur në banesë kur ndaj tij u qëllua duke e lënë vdekur në vend.
Ai kishte vrarë më herët të atin pas një përleshje në përpjekje për të mbrojtur të ëmën, e cila dhunohej edhe pse ishte divorcuar.
Jurgen Kurti ishte një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë, në 2016 u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe i akuzuar për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve. Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Në rastin e parë autorësinë e vrasjes së babait të tij, Artur Kurti e mori daja Leonard Ristani, ndërsa në rastin e dytë në vrasjen e Agim Arapit në Durrës u dënua vëllai i vjehrrit, pavarësisht se u arrestuan të tre.
Pas ngjarjes së 11 prillit 2017, Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë. Dy të akuzuarit e tjerë, Kostandini Ekonomi u shpall i pafajshëm, vëllai i tij Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Në 2018 dolën pamjet e vrasjes, ndërsa gruaja e Arapit kërkonte me forcë burgosjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se “është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij”. Në këto pamje dukej se në vendngjarje ishin tre persona; Jurgen Kurti dhe Kujtim dhe Konstandin Ekonomi. Gjithashtu Jurgen Kurti njihej edhe si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte.