Dhimitër Bello, rektori i universitetit Fan Noli të Korçës, në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se senati i këtij universiteti vetëm dy ditë më parë ka vendosur bashkimin e universitetit të Korçës me atë të Tiranës, vendim ky që sipas tij është votuar 100% nga pedagogët e këtij senati. Bello ka bërë me dije se pavarësisht bashkimit me universitetin e Tiranës, logoja e universitetit të Korçës mbetet. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të situatës të rëndë të krijuar në universitetin e juglindjes së vendit, universitet që nga njëri vit në tjetrin kishte një numër më të vogël studentësh.
Në vijim, Bello është shprehur se gjatë kësaj periudhe janë bërë të gjitha përpjekjet për marrëveshje dhe ndërkombëtarizim të këtij universiteti, por deri tani nuk është arritur një gjë e tillë. Në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje sipas senatit ishte bashkimi me universitetin e Tiranës.
I pyetur nëse senati para se të votohej ka pasur dy kërkesa, rruajtjen e programeve ekzistuese dhe mbajtjen në punë të gjithë pedagogëve, rektori është përgjigjur shkurt, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar mundësinë e frikës së pedagogëve për tu përballur tashmë me nivelin e pedagogëve të Tiranës, dhe shumë më tepër me pedagogë ndërkombëtarë në rast ndërkombëtarizimi.
Në universitetin e Korçës ka 4 fakultete dhe studiojnë 3000 studentë. Programet më të kërkuara janë ato të fakultetit ekonomik, infermieri – mami, dhe sportet.