Markat BENZ dhe Volkswagen janë më të pranishmet në rrugët e Shqipërisë. Benz ishte i pari i preferuari pas viteve ’90 për shkak të fortësisë së përshtatshme për rrugët e shkatërruara, ndërsa më pas filloi të preferohej Volkswagen si makinë ekonomike, por ndërkohë hynë dhe marka të tjera të shumëllojshme.
Mercedes Benz duket se po bie nga “froni”, teksa po bëhen të preferuara makinat e vogla dhe ekonomike.
Në fund të vitit 2022 kishte 115.064 autovetura të tipit Volkswagen, me 18% të totalit, duke iu afruar me shpejtësi BENZ. Madje të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në tremujorin e parë të këtij viti Marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve të reja rrugore me 20,4%, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 16,3%.
Marka e tretë më e preferuar është DAIMLER CHRYSLER e ndjekur nga Ford, Opel, Audi, Fiat; Toyota, BMW; Renault.
Flota e mjeteve që operojnë në Shqipëri vijon të mbetet shumë e vjetër dhe po zëvendësohet me ritme të ngadalta. Gati 41% e autoveturave që qarkullonin deri në fund të vitit 2022 kishin një moshë më të lartë sesa 20 vite.
Megjithatë numri i mjeteve të vjetra po bie. Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë në qarkun Durrës është 301, i ndjekur nga qarku Lezhë me 287 autovetura për 1.000 banorë. Qarku me numrin më të vogël të autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është qarku Korçë me 165 autovetura për 1.000 banorë.
61% e autoveturave janë manuale. Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (60,8%) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” në vitin 2022.
Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë në vitin 2022 përdorin lëndë djegëse “Naftë” ./Monitor