Kompania e telekomunikacionit TIBO është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Tiranës, pas akuzave dhe një hetimi disa mujor që ka arritur të provojë një skemë gjigande mashtrimi prej 2.2 milionë eurosh.
Me kërkesë të prokurorëve Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani, togat e zeza vendosën të pranojnë sekuestrimin e Tibo.al, Tibo Shpk dhe Megaware, deri në përfundim të hetimeve. Hetimi ka nisur nga Krimi Ekonomik i Tiranës, i cili e ka referuar çështjen në Prokurori.
Muaj më parë, televizioni Top Channel ka raportuar se kompania TIBO, pa patur asnjë të drejtë shpërndarjeje përmes platformës së saj IPTV, ka piratuar duke transmetuar Top Channel dhe TV Klan në të gjithë botën.
Sipas pretendimeve, TIBO u shiste shqiptarëve sikur të kishte të vetën edhe kampionatet La Liga, Premier League, Bundes Liga dhe Copa Italia, ndërkohë që këto kampionate janë të blera me të drejta transmetimi vetëm nga DigitAlb.
Nga ana tjetër, disa orë pas këtij lajmi ka reaguar dhe vetë kompania TIBO. E cila thotë se lajmi i Top Channel është i pavërtetë.
“Ne vijim te publikimit ne kanalin televiziv “Top Neës”, ne Internet dhe ne platformat e tjera te lidhura me kompanine “Top Media” te lajmit te pavertet se shoqeria TIBO eshte nen hetim nga prokuroria per mashtrim dhe se eshte vendosur sekuestro preventive, kerkojme heqjen e menjehershme te tij dhe pergenjeshtrimin e ketij lajmi. Lajmi eshte i pavertet dhe keqdashes”, thotë kompania e telekomunikacionit.