Në emisionin “Në Shtëpinë Tonë”, në Top Channel, ishte sot e ftuar aktorja e njohur e humorit, Rudina Dembacaj. Gjatë bisedës me moderatorët Alban Musa dhe Julka Gramo, ajo foli edhe për familjen e saj të madhe.
Kur u ndal te fëmijët e bashkëshortit të saj, Marku Frrokut, Rudina e pati të pamundur të mbante emocionet.
E përlotur, aktorja tregoi se nuk është përpjekur kurrë t’u zëvendësojë nënën, por të jetë një shoqe për ta. Meritën për marrëdhënien e mirë që kanë bashkë nuk ia njeh vetes, por bashkëshortit dhe faktit që ka gjetur fëmijë të mrekullueshëm.
“Nuk është merita ime, është totalisht e tyre, që kanë qenë të hapur të pranojnë një person të ri në familje. Ju mungon një shtyllë shumë e rëndësishme që është nëna. Nuk jam munduar kurrë të bëj nënën për ta, thjesht ka data të caktuara që unë e di që atyre iu vjen një moment që do mërziten dhe e kujtojnë më shumë nënën e tyre. Unë përpiqem të jem një shoqe. Është edhe meritë e Markut sigurisht, se ne si dy prindër mundohemi shumë që të ruajmë balancat me njëri-tjetrin, fëmijët me njëri-tjetrin patjetër. Ka qenë fat shumë i madh që ata janë aq të mrekullueshëm dhe kanë pranuar një person të ri bashkë me një fëmijë, që për ta Viktoria është një motër. Viktoria nuk ha nëse nuk jemi të gjithë bashkë. ‘Ç’është kjo drekë pa Nardin dhe Ertën’.
Kam pasur fatin që kam gjetur fëmijë të mrekullueshëm, të gjithë fëmijët janë të mrekullueshëm. Por ka fëmijë që refuzojnë, pra kanë pasur fazat e tyre. Sot që flasim unë nuk e imagjinoj dot jetën time pa ta, në mënyrë absolute. Edhe kur kanë probleme, problemet e moshës, unë përpiqem të jem personi që vihet në pozicionin e tyre. Bëhem shumë më pak qortuese dhe mundohem të jap shembullin tim. Unë ata fëmijë i dua. Nuk ka recetë se si të sillesh me ata që do. Kur ka dashuri, nuk ka nevojë për recetë”, u shpreh Rudina.