Policia ka arrestuar Klered Bozhanaj i cili plagosi me armë zjarri efektivin e Policisë Edlir Alleshi dhe ishte në arrati që nga dita e djeshme.
Autoritetet njoftojnë se 42-vjeçari u arrestua mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku me vete kishte dhe një armën e zjarrit pistolet të cilën e përdori ditën e djeshme. Mësohet se ai është vënë në pranga në momentin që po futej në banesën e tij, ku isshte thirrur nga familjaret per t’u dorezuar.
Kujtojmë që mbrëmjen e djeshme Bozhanaj hapi zjarr mbi efektivët e forcave speciale “Shqiponja”. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur inspektori Edlir Alleshi i cili menjëherë u dërgua drejt spitalit të Traumës ku dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia njoftoi se shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi morën informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, u vunë në ndjekje të të dyshuarit. Gjatë ndjekjes, Bozhanaj hapi zjarr në drejtim të “Shqiponjave”, dhe si pasojë mbeti i plagosur Alleshi. Autori më pas u largua nga vendi i ngjarjes me një makinë.Autoritetet ofruan 20 mijë euro shpërblim për informacion ose për kapjen e autorit.