Hekuran Marku kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, por Apeli e ka lënë në fuqi.
Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg.
Hekuran Marku i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Marku u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Emri i tij doli në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”.
Si pasojë e këtij operacioni janë vendosur në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.
EKSTRADIMI
Hekuran Marku, ish-truproja i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë shtatë muaj pas arrestimit të tij. Marku u vu në pranga në gusht të vitit 2021. Marku ka qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016.
Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK, Marku akuzohet se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar, ky i fundit i njohur si Eltjon Bregu, ka trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë bashkë me kolegun e tij Agustin Deda.
Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për tua dorëzuar katër italianëve. Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës përmes operacionit “Shpirti”.