Personi që shikoni në foto është Florian Gjergji, i dyshuari si koka e grupit që arriti të mashtrojë biznesmenët më të fuqishëm të Tiranës, disave prej tyre duke iu marrë shuma të mëdha parash në emër të politikanëve të njohur të vendit.
Gjergji deri para pak kohësh dihej se ndodhej në Gjermani, nga ku organizonte të gjitha skemat e mashtrimit, në rrjetën e të cilit kanë rënë biznesmenë të ndryshëm, kryesisht ata të fushës së ndërtimit.
Viktima i fundit ishte një arkitekt i njohur. mashtruesit i dërguan atij nje mesazh në rrjetin social Signal duke iu prezantuar si Erion Veliaj në Tiranë. Pas disa bisedave, ata i kërkuan biznesmenit 70 mijë euro.
Florian Gjergji dyshohet se të paktën në 4 raste të tjera, ka organizuar të njëjtën skemë vjedhje, duke përdorur emra politikanësh dhe ku u kanë kërkuar shuma të mëdha parash. Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro.
Në atë kohë, në operacionin “Tentativa” u arrestuan 3 persona të tjerë, të cilët i kishte pajtuar për të kryer mashtrimin, ndërsa vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.
Ai ka tentuar të mashtrojë edhe biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.
Gjergji vetë komandon grupin nga Gjermani ndërsa të gjithë ata që janë kapur deri tani për këtë çështje ose kanë patur rol dytësor, ose ishin përdorur thjesht si korrier për të marrë paratë nga viktimat.