Sadete Rakipi është vënë sot në prangat e Policisë në Përmet pasi akuzohet se ka mbajtur të fshehtë abuzimin seksual të vajzës së saj të mitur. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur para disa muajsh, dhe 44-vjeçarja ishte shpallur në kërkim. Ajo gjithashtu, dyshohet se i ka marrë një shumë parash një qytetari të huaj, duke e mashtruar gjatë komunikimeve në rrjetet sociale. Rakipi pritet të përballet me akuzën për veprat penale: “Moskallëzim i krimit” dhe “Mashtrimi”.
NJOFTIMI
Vihet në pranga një shtetase e shpallur në kërkim, e akuzuar për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mashtrimi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, vunë në pranga shtetasen S. R., 44 vjeçe, banuese në Përmet, për të cilën Gjykata e Gjirokastrës, me vendimin e datës 27.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Mashtrimi”.
Kjo shtetase dyshohet se ka patur dijeni se vajza e saj e mitur ishte abuzuar seksualisht nga një shtetas, disa muaj më parë, por nuk ka kallëzuar në Polici. Gjithashtu, dyshohet se i ka marrë një shumë parash një shtetasi të huaj, duke e mashtruar gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.