Dy programe studimi, Filozofi-Sociologji dhe Ekonomiks janë pezulluar nga senati akademi i Universitetit të Korçës, “Fan S.Noli”.
Vendimi erdhi pasi këto dy programe nuk kanë pasur asnjë student të regjistruar.
Ndërkohë që senati ka marrë vendimin për vazhdimesinë e programeve të matematikës, informatikës dhe fizikës, duke qenë si programe strategjike.
Çdo vit, në auditorët e universiteteve publike po ulen gjithnjë e më pak studentë.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin akademik 2022-2023 vazhduan studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë rreth 91 mijë studentë, ose 75% e totalit të studentëve gjithsej, që arrijnë në rreth 121 mijë, përfshirë sistemin privat.
Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin publik ka rënë me 19.7%, ose rreth 22.3 mijë studentë më pak.
Plakja graduale e popullsisë që ka ulur grupmoshën e re, së bashku me emigrimin e të rinjve vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Psh, grupmosha 15-24 vjeç zbriti në 13% të totalit në fund të vitit 2022, nga 16.1% në 2018-n.