Shani Louk, 22-vjeçarja gjermane e rrëmbyer nga terroristët e Hamasit, raportohet se është ende gjallë. Mediat e huaja shkruajnë se nëna e 22-vjeçares ka deklaruar se vajza e saj është ende gjallë, ndonëse në gjendje kritike për jetën.
Rrjetet sociale u mbushën me pamjet dramatike të rrëmbimit të saj nga Hamas, teksa i zhveshën rrobat dhe e parakaluan përmes Gazës në pjesën e pasme të një kamioni.
Louk, një artiste tatuazhesh e rritur në Izrael u rrëmbye gjatë festivalit të muzikës “Tribe of Nova”, mbi 260 të rinj dhe të reja që ndodheshin me të, nuk arritën të shpëtonin të gjallë pasi terroristët e Hamas nisën të hapin zjarr ndaj tyre.
Të martën, familja e Louk njoftoi se kishte prova që Louk është ende gjallë. Faqja gjermane e lajmeve Blick raporton se nëna e saj tha se ajo ishte në një spital në Gaza me lëndime të rënda në kokë.
“Tani kemi më shumë informacione se Shani është gjallë”, tha nëna e saj për kanalin televiziv NTV, duke shtuar se ajo e mori informacionin nga burime të paidentifikuara palestineze.
Nëna shtoi se Louk është plagosur rëndë dhe i kërkoi qeverisë gjermane ndihmë dhe veprim të shpejtë.
Pamjet shqetësuese janë të fundit që familja e Shanit e ka parë atë, megjithëse ata shpresojnë se ajo do të gjendet e gjallë.
“Po, është e fundit që kemi parë. Ne jemi gjithmonë në kërkim të më shumë videove, më shumë lajmeve, diçka që e shfaq atë në disa vende të tjera, por nuk mund të shohim ende asgjë”, tha nëna e saj.
Ndërsa ata nuk kanë parë asnjë video apo imazh tjetër të Shanit, nëna e saj tha se dikush u përpoq të përdorte kartën e saj të kreditit në Rripin e Gazës disa herë, megjithëse është e paqartë se kush.