Një grua raportohet se ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, në afërsi të fshatit Dushk. Ajo është përplasur nga një mjet që drejtohej nga një 30 vjeçar, në rrugën Çermë-Lushnjë.
Policia njofton se identiteti i gruas nuk dihet ende, pasi dyshohet se ajo ishte endacake, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe identifikimin e shtetases që ka ndërruar jetë. Do të jenë ekspertët e Policisë Rrugore dhe ata të Policisë Gjyqësore, që do të përcaktojnë shkakun dhe rrethanat finale të aksidentit.
Lushnjë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor “Çermë-Lushnjë”, në fshatin Dushk, automjeti tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi O. Gj., 30 vjeç, ka aksidentuar një këmbësore (dyshohet endacake), e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe identifikimin e shtetases që ka ndërruar jetë.