Historia e dashurisë së çiftit Tefta Tashko me Kristaq Koçon është shfaqur në fundjavë në teatrin “Andon Zako Çajupi”, film ky që ka tërhequr vëmendjen e artdashësve, të cilët kishin mbushur sallën e këtij teatri.
Skenaristja Angjelina Papalilo tregon se ja ka dalë të sjellë në këtë film të gjitha letërkëmbimet e çiftit gjatë kohës së dashurisë së tyre, kur Tefta ndodhej në Paris dhe Kristaqi në Bukuresht. Një histori që askush nuk e kishte përjetuar si ata të dy.
“Nuk ka një të dytë si Tefta Tashko dhe Kristaq Koço. Kanë qenë kaq të lidhur me njeri-tjetrin, u dashuruan dhe këtë dashuri nuk e ka provuar ndonjë çift tjetër, u bënë xheloz dhe vet engjëjt dhe i morën shpejt, patën fat tragjik. Është një histori e mrekullueshme sepse të dy ishin kolosë të artit shqiptar perëndimor që erdhi për herë të parë në vitet 30-40. Te dy vinin nga jashtë, Tefta nga Mopelie ndërsa Kristaqi nga Bukureshti. Kanë një letër-këmbim kaq emocional, është kaq i bukur sa letërsia thotë se është një “Love Story” e vërtetë”, thotë Angjelina Papalilo, skenariste.
Edhe për regjisorin e njohur Ylli Pepo, historia e çiftit Koço është tejet interesante, e për këtë arsye të gjithë grupit të xhirimit dhe konsulentëve u janë dashur të kujdesen për të sjellë një film deri në detajet më të vogla për çiftin që për fatin e keq, nuk jetuan gjatë.
“Është një film i ndërtuar mbi korrespondencën e dy meteorëve të artit shqiptar, në kohën kur sapo janë njohur me njeri tjetrin dhe fillojnë aktivitetin muzikor, që në atë kohë ka qenë i jashtëzakonshëm. Një fakt tepër interesant që zbuluam nga letra që vuri biri i tyre i vetëm është se Tefta Tashko Koçon e ka kërkuar dhe Metropolitan opera e New York. Në vend të Amerikës ajo zgjodhi baltërat e Lushnjës dhe u bë një yll që shkëlqeu jo vetëm në muzikë por e ne jetën shoqërore shqiptare, e emancipoi gruan shqiptare”, shprehet regjisori Ylli Pepo.
Për realizimin e këtij filmi, krahas skenaristes Angjelina Papalilo dhe regjisorit Ylli Pepo, kanë punuar si konsulent djali i vetëm i çiftit Koço, Eno Koço dhe muzikologu i njohur Pandi Bello.