Stuhia e fuqishme “Ciaran”, që deri tani ka përfshirë Evropën dhe ka shkaktuar vdekjen e 12 personave pritet të godasë edhe Shqipërinë.
Nga mesdita e sotme deri ditën e nesërme priten reshje të dendura shiu të shoqëruara edhe me rrebeshe, duke sjellë reshje nga 50 deri në 85 milimetër shi. Ndërkohë, sipas Meteoalb problematike do të jetë edhe era e fortë, e cila do të arrijë deri në 80 km në orë në det të hapur duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin detar. Ndërkohë, gjatë së shtunës do të ketë edhe rënie të temperaturave që nuk do t’i kalojnë 19 gradë celsius.
Stuhia ka goditur Britaninë e Madhe, Gadishullin Iberik dhe Italinë, pritet që kjo stuhi të prekë një pjesë të madhe të Evropës qendrore, ndërsa do të jetë prezente deri në orët e para të ditës së dielës. Erërat prej 207 km/h u regjistruan më herët në bregun veriperëndimor të Francës, pasi stuhia goditi edhe Anglinë Jugore, Belgjikën, Holandën dhe Gjermaninë, si dhe brigjet e Atlantikut të Spanjës dhe Portugalisë.
Situata është veçanërisht kritike në Toskanë ku pesë persona vdiqën ndërsa katër mbeten të zhdukur. President i Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme rajonale dhe është në kontakt me qeverinë për atë kombëtare.